E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strasburgu gjobë 67 mijë Shqipërisë



TIRANE - Gjykata Europiane e Strasburgut penalizon Qeverinë shqiptare me 67 mijë euro për dosjen "Puto". Vendimi është shpallur ditën e djeshme, ndërsa padia ishte dozuar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut më 16 nëntor 2006, nga aplikantët Refat Puto, Violeta Puto, Saime Puto, Pandi Allabashi, Ermira Allabashi dhe Roza Allabashi. Proceset gjyqësore të familjes Puto kanë nisur më 22 qershor 1994, kur Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, u ka njohur aplikantëve pronësinë mbi një ngastër toke dhe të një ndërtese mbi të në Sarandë. Ndërtesa kishte nisur të rikonstruktohej në 1990, por që nuk kishte përfunduar pasi ishte bërë e pabanueshme, për këtë, familja Puto është dëmshpërblyer 997.230 lekë. Kundërshtimi i familjes Puto mbërriti në Gjykatën e Sarandës, institucion i cili e ngriti këtë shifër në 4.6 milionë lekë të reja, më 14 prill 1995. Më 25 maj 2000, Gjykata e Sarandës nxjerr urdhrin e ekzekutimit të vendimit, ndërsa më 5 korrik 2000 Ministria e Financave informon aplikuesit se ata do të kompensoheshin me anë të letrave me vlerë. Më 7 nëntor 2002, Puto kërkoi ekzekutimin e vendimit nga Përmbarimi i Sarandës, por që deri në vitin 2006 vendimi nuk u ekzekutua. Pas kësaj, më 22 tetor 2005 dhe 3 mars 2006, familja Puto ka dërguar dy letra në Ministrinë e Drejtësisë, por nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë gjatë kësaj kohe, prona i ishte shitur një firme ndërtimi për të ndërtuar aty një pallat. Kjo u përdor si argument nga përfaqësuesja e Qeverisë shqiptare në Strasburg, për të justifikuar mospagimin nga ana e institucioneve shtetërore të shumës së kërkuar. Por Strasburgu, duke pranuar si shkelje këtë, vendosi dëmshpërblimin e familjes Puto me 65 mijë euro, shumë kjo e konvertuar me vlerën e sotme, si dhe dy mijë euro të tjera për shpenzimet gjyqësore. fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›