Vrasje në plazh për një celular
DURRES/ OERD ULQINI
Vrasje në lokalin me muzikë "live" në plazhin e Durrësit. Vetëm orari i vonë ka shpëtuar nga tmerri pushuesit që frekuentojnë këto ambiente në sezonin e verës. Administratori i lokalit "Diaspora", në lagjen 13 të Durrësit u qëllua për vdekje nga një klient, pas sherrit për humbjen e një telefoni celular. Viktimë e plumbave ka mbetur 53-vjeçari Agim Seci. Falë dëshmive të personave të tjerë policia ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin 32-vjeçar Shpëtim Mema nga periferia e Shijakut. Ky i fundit ka marrë arratinë menjëherë pas ngjarjes dhe policia e ka shpallur "person në kërkim". Agim Seci, i lindur në Markaj të Tropojës banonte vitet e fundit në Tiranë. Ai prej disa muajsh kishte marrë me qira lokalin "Diaspora" në sektorin "Hekurudha" të plazhit të Durrësit, në të cilin luhej muzika "live". Sipas të dhënave të para të hetuesve sherri është provokuar nga humbja e një celulari. Mësohet se autori i dyshuar ishte duke konsumuar pije në tavernën bregdetare, rreth orës 03:00, në shoqërinë e disa miqve të tij kur nuk gjen më telefonin. Humbja e aparatit telefonik, (i cili bëhet objekt bisedash në tavolinë) do të sillte në atë tryezë edhe pronarin e lokalit. Në debat e sipër, ndoshta edhe nga konsumi i alkoolit në atë orë të vonë të natës gjakrat mes palëve ndizen dhe autori i dyshuar shkëmben me viktimën fjalë fyese. Megjithë ndërhyrjen e personelit të lokalit dhe të miqve të shijakasit sherri nuk shuhet. Në këto kushte autori zbret nga lokali, duke marrë në makinën e parkuar anash tij një armë zjarri. Sipas hetuesve të policisë dyshohet se arma e përdorur në krim është një çifte gjuetie, mjaft e ngjashme në karakteristika me shotganin. Ka qenë ora 03:20 minuta e së martës, kur pronari i lokalit goditet për vdekje. Tentativa për ta dërguar në spital qe e kotë, pasi Seci humbi jetën menjëherë. Duke përfituar nga rrëmuja e krijuar agresori merr arratinë, teksa policia mbërriti në vendngjarje me t'u lajmëruar nga dëshmitarët. Policia shkencore ka bllokuar përkohësisht lokalin, duke bërë akt-ekspertizën mbi ngjarjen. Sipas burimeve mekanizmi i krimit është rindërtuar plotësisht, ndaj në terren ka nisur aksioni në shkallë të gjerë për të vënë autorin përpara drejtësisë.
Policia e Durrësit njoftoi dje se për çdo informator mbi vendndodhjen e autorit vë në dispozicion si shpërblim 500 mijë lekë të reja. Megjithë shumën e parave dhe numrat e telefonit, deri në mbrëmje autori nuk ishte ndaluar. Nga verifikimi ka rezultuar se Mema zotëronte një armë gjahu me leje, me të cilën dyshohet se ka kryer vrasjen e Secit.