E Diel, 1 Nëntor 2026

“Cërrik ‘97, Buzani vrau gardistët”



Armand Bajrami

Masakra e 23 majit 1997 në Cerrik, ku në një pritë të armatosur u vranë 6 gardistë dhe u plagosën 15 të tjerë, u ritregua dje në Gjykatën e Krimeve e Rënda, nga një dëshmitar i pranishëm në ngjarjen e rëndë. Dëshmitari Agim Omeri, tregoi në seancën e radhës ndaj nëntë të akuzuarve, si kishte parë të hapej zjarr mbi punonjësit e policisë. Omeri pohoi para gjykatës momentet kur kishte parë të vriteshin njëri pas tjetrit "njerëzit e shtetit", në "batërdinë" e plumbave që shkreheshin nga të gjitha anët, si edhe për dy punonjësit e gardës, të cilët u mbajtën peng për disa orë pas ngjarjes. Sipas dëshmitarit, pak para se blindat e gardës të futeshin në qendrën e Cërrikut, ai kishte parë një masë njerëzisht të dilnin me të shpejtë nga godina e bashkisë. Mes tyre, dëshmitari kishte njohur të pandehurin Llazar Bicja dhe ish- kryetaren e bashkisë së Cerrikut, Mishelina Milo. Omeri tha që personat e armatosur në Cerrik ato ditë ishin të shumtë, pasi sipas tij "armët ishin me bollëk dhe të gjithë zotëronin të tilla".
DESHMIA
Dëshmitari Agim Omeri kishte qenë në shoqërinë e dy miqve të tij në qendrën e qytetit të Cërrikut, mëngjesin e 23 majit 1997, kur në qytet u mor vesh lajmi i mbërritjes së forcave speciale nga Tirana. "Ditën e ngjarjes kam qenë në qendër të qytetit të Cërrikut. Erdhën forcat speciale nga Tirana. Fillimisht, nuk u futën në qytet. Kaluan në cep të tij dhe ikën nga rruga e Gramshit. Ishin disa diagaçë, disa 'IFA' dhe disa makina të vogla. Herën e parë kaluan jashtë qytetit. Më pas u kthyen. Dëgjohej zhurma e tyre që larg. Shumë shpejt u boshtatis gjithë qendra e qytetit. Nxitova të iki edhe unë. Në atë kohë, pashë disa persona që dolën nga bashkia, mes të cilëve njoha Llazar Bicen dhe kryetaren, Mishelina Milo", - tha dëshmitari. Në vijim, ai rrëfeu për hyrjen e blindave në qytet. "Unë në atë moment nuk kisha armë. Persona të tjerë të armatosur kishte, pasi kishte armë me bollëk. Për 30 mijë lekë gjeje një kallashnikov. Edhe kamarierët kanë pasur armë atëherë. Të gjithë kishin. Unë ika dhe u fsheha në një ndërtesë. Kaloi diagaçi i parë në qendër të qytetit. Para se të ndodhte ngjarja, unë kisha konflikt me një prej meshkujve të fisit Buzani. E pashë atë aty pranë dhe për këtë i mora një armë një të njohurit tim. Kur diagaçi u fut në qendër, një prej tyre ngeci. Ai qëndronte 20 metra larg kinemasë së qytetit. Dolën rreth 3-4 veta nga diagaçi. Ata personat dolën jashtë me duart e ngritura lart. Ndërsa Sokol Buzani nga rruga u ra me breshëri. I thërrita: Mos se është gjynah. Një tjetër nga ata persona u qëllua nga drejtimi i kinemasë. Pas 10-15 minutash dolën nga kinemaja këta, dora e zezë. Ishte edhe Arjan Buzani. Dolën mbi 30 veta. Dy nga policët u vranë afër diagaçit. Në pozicionin ku isha unë shikoja vetëm kinemanë. Pashë një nga policët që iku zvarrë nga diagaçi drejt një kioske aty pranë. Dukej që ishte i plagosur dhe shkova ta ndihmoja. Por e gjeta të vrarë me një plumb në ballë", tregoi Omeri. Për gardistët e mbajtur peng pas ngjarjes së Cerrikut dëshmitari rrëfeu: "Janë kapur edhe dy pengje atë ditë. I kam çuar tek shtëpia e Hyqmet Agollit. Ishte shtëpia më afër vendit. I kam marrë unë me disa shokë të mitë. Më mbrapa mora vesh që këta të policisë kishin marrë një nga çunat e Hyqmetit. Erdhi edhe një kameraman aty dhe i morën në intervistë. Ata kishin frikë se mos i vrisnim. Ne i thamë që nuk do t'i gjente gjë. Në shtëpi hynin edhe persona të tjerë, por sa kam qenë unë aty, ndaj pengjeve nuk është bërë asgjë ndaj tyre. Më vonë mora vesh që ata personat i kishin çuar në Papërr". I pyetur për të pandehurit, dëshmitari tha se "i njoh për njerëz të mirë", ndërsa pranoi faktin që disa prej tyre i kishte parë pasditen e ngjarjes në qendrën e Cërrikut.

Mjekët e Elbasanit: Të gjithë të plagosurit, me armë zjarri
TIRANE - Dy mjekë të spitalit të Elbasanit, një kirurg dhe një anestezist, dëshmuan dje në seancën ndaj të akuzuarve për "masakrën e Cërrikut" mbi mjekimet e të plagosurve ditën e 23 majit 1997. Kirurgu Bujar Kllogjri dhe anestezisti Behar Gjevori pohuan dje se dita e ngjarjes së Cërrikut kishte qenë një ndër ditët më të ngarkuara të vitit 1997, pasi numri i të lënduarve ishte i madh. Sipas mjekëve, për shkak të pozicionit të tyre profesional, ata janë marrë vetëm me personat që futeshin në sallën e operacionit, ndërsa pritja në masë e të plagosurve bëhej nga mjekë të tjerë. "Kemi qenë katër kirurgë dhe dy anestezistë në shërbim. Dita e ngjarjes së Cërrikut ka qenë një ndër ditët më të ngarkuara. Kanë ardhur shumë përsona të plagosur. Vetëm unë kam shoqëruar në helikopter drejt Tiranës gjashtë persona. Plagosjet ishin me armë zjarri", tha anestezisti Gjevori. Ndërsa kirurgu Kllogjri shpjegoi se për shkak të situatës, mjekët ishin ndarë në dy brigada. Dëshmitari tha se nuk njihte asnjë nga të plagosurit, ndërsa plagët e tyre ishin të shkaktuara nga armë zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›