Zgjedhjet ;Veliaj kthen G99 në parti politike dhe shpall koalicionin me Ramën
Erion Veliaj më në fund ka folur qartë. Ai ka vendosur që të kthejë lëvizjen e tij politiko-sociale në një parti politike dhe të garojë në zgjedhjet e reja përkrah Edi Ramës. Në pamundësi për të hyrë në zgjedhjet parlamentare si lëvizje qytetare, G99 ndryshon kurs dhe do të shndërrohet në një parti politike brenda janarit. Kodi Zgjedhor nuk njeh asnjë subjekt veç atyre politike si subjekte zgjedhore, ndaj kreu i G99-s, Veliaj është i detyruar që ta kthejë lëvizjen në parti. Të qenit një lëvizje, larg organizimit dhe mënyrës se si veprojnë partitë politike, është pika ku është mbështetur G99-a, por duket se në këtë mënyrë nuk mund të garojnë. Ndërkohë Veliaj ka akuzuar LSI-në dhe PD-në, duke thënë se i përket koalicionit të ndërtimit. Në një intervistë të dhënë dje për “Zërin e Amerikës”, lideri i G99-s, Erion Veliaj, ka treguar disa nga detajet për hyrjen në garën elektorale të grupimit politik G99, në një koalicion që sipas Veliajt, e lidh së bashku dëshira për të ndërtuar një Shqipëri përtej tranzicionit. Veliaj ka treguar se për t’iu përshtatur Kodit Zgjedhor, G99-a, në një asamble të datës 31 janar, do të marrë formën e partisë politike. "Tashmë që kodi është aprovuar dhe ka përcaktuar vetëm një formë të garimit politik, G99-a do të shndërrohet në një parti politike për të pasur mundësi të hyjë në zgjedhje. Kjo është një procedurë formale, e cila nuk ndryshon asgjë në frymën, idealin dhe energjinë e G99-s", - ka thënë Veliaj. Pyetjes se me çfarë aksionesh e ka nisur 2009-n lëvizja G99, Veliaj iu përgjigj se fushata e parë për këtë vit është një fushatë jo kundër njerëzve, por pro çështjeve. "E nisim këtë vit me një konventë për sigurinë e jetës së shqiptarëve, një temë e cila pas fatkeqësive të panumërta të vitit të kaluar meriton shumë më shumë vëmendje dhe kujdes sesa zënkat e politikanëve në Tiranë", - tha Veliaj. I pyetur mbi zgjedhjen e koalicionit përkrah të cilit do të rreshtohet G99, i majtë apo i djathtë, Veliaj është përgjigjur se në Shqipëri nuk ekzistojnë koalicionet e majta apo të djathta. "Në Shqipëri ekzistojnë vërtet dy koalicione, ai i shkatërrimit dhe ai i ndërtimit. Ai koalicion që rrëzoi buxhetin e bashkisë nuk është as i majtë as i djathtë. Ai është koalicioni i shkatërrimit. Ne do të jemi në atë koalicion të përbërë nga njerëz që kanë ditur si të ndërtojnë qoftë organizata të suksesshme apo dhe qytete që po rinovohen". Pyetjes nëse radhitja në koalicionin e majtë e etiketon G99 larg lëvizjes së suksesshme rinore, Veliaj iu përgjigj se pavarësisht ndarjes së disa mendimeve të ndryshme mbi çështje si ligji i dosjeve apo kartat e identitetit, ku G99 dhe PS kanë treguar qëndrime të ndryshme, ka shumë gjëra të përbashkëta madhore që i bashkojnë në një ekip dhe më kryesorja është dhënia fund e tranzicionit dhe ndërtimi i një Shqipërie të ndryshme. "Në Shqipëri ajo gjeneratë që tregoi se di të protestojë dhe të kritikojë, ka potencialin shtetbërës dhe është e aftë të sjellë ndryshimin në 2009. Shpresa dhe besimi ynë është që pikërisht të rinjtë, që do të votojnë në 2009 do të konfirmojnë se mund t’ia dalim duke e sjellë këtë ndryshim", - tha Veliaj. Lëvizja e drejtuar nga Erjon Veliaj ka hasur probleme me kohë në lidhje me nocionin juridik të saj. Drejtuesi i saj ka deklaruar shpesh se G99 është një lëvizje politike, por jo parti. Ky nocion i paqartë juridik ka bërë që Gjykata e Tiranës të mos e njihte këtë “lëvizje”, të cilën e përkufizonte Veliaj.