E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Së shpejti nisin punimet e autostradës Korçë - Ersekë

KORCE - Ministri i Financave dhe njëkohësisht kandidati për deputet që kryeson listën e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, Ridvan Bode gjatë një takimi elektoral me të rinj të Kolonjës tha se infrastruktura e zhvilluar do ta afrojë më shpejt vendin me Europën. Në këtë kuadër ai njoftoi për fillimin së shpejti të punimeve të autostradës, Korçë-Ersekë.

"Ne së afërmi inaugurojmë përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan, që e çon distancën midis dy qyteteve në vetëm 20 minuta dhe njëkohësisht fillojmë ndërtimin e rrugës nga Qukësi në Qafë-Plloçë dhe autostradën Korçë-Ersekë. Kjo do të thotë që rrugën nga Tirana në Ersekë ta bësh në më pak se dy orë", - tha Bode.

Duke iu drejtuar të rinjve të Kolonjës, Bode tha se, PD ka sot mbështetjen më të gjerë elektorale pikërisht tek brezi i ri, "sepse ju jeni larg dogmave dhe përbuzni demagogjinë". 

Ai vuri në dukje zhvillimet pozitive në fushën e arsimit, ku gjatë tetë viteve të fundit, përqindja e të rinjve që arsimohet në universitete është më e larta krahasuar me vendet e rajonit dhe me shpejtësi po i afrohet standardeve dhe mesatares së vendeve të BE-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›