Bode: Shqipëria më 2011, rritje me 3,9%
Urime me kartolinat më të mira, i ka cilësuar kreu i Financave, Bode, vlerësimet për një ekonomi të qëndrueshme të vendit tonë, nga dy kompanitë ndërkombëtare dhe FMN. Sipas tij, parashikimet për 2012-n tregojnë për një rritje 4,3%, por nëqoftëse nuk do merreshin parasysh zhvillimet në Europë dhe botë, do të kishte një rritje më të madhe.
Pavarësisht se Instituti i Statistikave që prej disa muajsh nuk publikon të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto, ministri i Financave deklaron se të dhënat e INSTAT-it tregojnë për një rritje ekonomike prej 3,9% gjatë vitit 2011, më shumë se një vit më parë. Dhe gjithashtu të ardhurat deri në fund të vitit do të jenë 7%, në rritje, krahasuar po me një vit më parë. Kreu i Financave, Ridvan Bode, gjatë konferencës së përmbylljes së vitit, në një takim me mediat, u shpreh se buxheti i shtetit i është përmbajtur ligjit dhe jo hamendjeve të parashikuesve dhe në përmbajtje të tij viti do të përmbyllet me një deficit buxhetor prej 48 mld lekësh. Gjatë konferencës së dhënë për mediat, ministri Bode evidentoi se ekonomia shqiptare ka përvijuar një ecuri të qëndrueshme dhe ka përballuar me sukses krizën ekonomike globale. “’Moodies e Standart’s & Poors’ i kanë dhënë vlerësimin Shqipërisë si një vend me një ekonomi të qëndrueshme për qeverisje të kapaciteteve e pjesëmarrjes në tregjet globale financiare. Kompanitë në fjalë konfirmojnë nivelet B1 dhe B + për një vlerësim afatmesëm si ekonomi të qëndrueshme për Shqipërinë. Kjo përbën konfirmimin e performancës pozitive si rezultat i reformave gjatë 2011-ës, në kohën kur ekonomitë e rajonit janë vlerësuar nga dy kompanitë me stabilitet negativ ose degradim ose ulje. Ata kanë vlerësuar potencialin e ekonomisë shqiptare, uljen e deficitit 3%, qëndrueshmërinë në sektorin bankar dhe likuiditet në treg”- u shpreh Bode. Sipas tij, kompanitë kanë vlerësuar në raportin e tyre se potencialet e Shqipërisë për një vlerësim më pozitiv në të ardhmen lidhen edhe me plotësimin e standardeve në kuadër të MSA-së. Gjithashtu, ministri Bode gjatë fjalës së tij përmendi edhe raportin më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku ishin analizuar ekonomitë e 6 vendeve të rajonit dhe vlerësohej Shqipëria si vendi me borxh të jashtëm më të ulët në rajon, si rezultat i politikave të kujdesshme fiskale, duke renditur tre faktorë, të cilët kanë ndikuar në performancën pozitive të ekonomisë shqiptare; privatizimi i aseteve shtetërore në shkallë të gjerë, zhvillimi i qëndrueshëm në tregun ekonomik dhe stabiliteti afatgjatë në kursin nominal të këmbimit. Duke iu referuar parashikimit për 2012-ën, ministri Bode theksoi se buxheti i 2012-ës është konservativ, duke u nisur edhe nga situata ekonomike globale dhe ajo në eurozonë, por rritja e ekonomisë shqiptare do të jetë 4,3% me një rishikim të buxhetit në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Duke iu referuar parashikimeve të ‘Moodies’ për një rritje të ekonomisë shqiptare prej 1,5% gjatë 2012-ës, ministri Bode u shpreh se “ne nuk bazohemi në hamendësime, por drejtojmë shtetin me ligj dhe do t’i përmbahemi buxhetit të miratuar në Parlament. Ne kemi marrë vlerësime nga kompanitë për një ekonomi të qëndrueshme”. Edhe më parë, Bode ka deklaruar se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të performojë pozitivisht në bazë të treguesve makroekonomikë gjatë vitit të ardhshëm, ku parashikohet të ketë një rritje prej 4.3%. Sipas tij, në hartimin e buxhetit 2012 qeveria është treguar mjaft e kujdesshme, duke pasur parasysh edhe efektet që mund të ketë kriza europiane në ekonominë tonë. Sipas Bodes, të ardhurat e buxhetit janë parashikuar në rreth 356 miliardë lekë dhe shpenzimet rreth 397 miliardë lekë.