Bode: Shqipëria në rritje ekonomike, eksportet u rritën me 74 për qind
tremujor të ardhurat janë në nivelin 95 për qind të planifikimit. "Në mars ndodhi ajo që ekonomia shqiptare iu rikthye ritmeve të saj, nuk mund të rrinte për shumë kohë të gjatë e ndrydhur dhe nën presionin e krizës globale. Ajo si të themi stanjacioni momental i tre-katër muajve të fundit ishte tepër i rikuperushëm dhe ju po e shihni që shifrat janë shumë optimiste", deklaroi Ridvan Bode, ministër i Financave. Bode ka hedhur poshtë edhe mundësinë që rritja fiskale e marsit të ketë ardhur nga nisja e investimeve publike. "E di ku është meraku juaj, qe ne kemi dhënë shumë investime dhe kemi rikuperuar nga investimet. Po ju them, kemi paguar në muajin mars rreth 9 miliardë lekë investime, TVSH-ja e të cilëve do të rekuperohet në muajin prill, sepse ju e dini që bëhet me një muaj vonesë", vijoi Bode. Kreu i Financave ka folur për shifra pozitive në tatime, dogana, qarkullim ekonomik dhe eksporte. Ai ka ftuar edhe sistemin bankar dhe biznesin privat të bëhen pjesë e këtyre zhvillimeve pozitive ekonomike. Si periudhë 3-mujore, administrata doganore konfirmon një rritje prej 2.8 miliardë lekë krahasuar me 2009, ose 13 % më shumë në buxhet. Tatimet kanë tejkaluar programin fillestar të qeverisë për muajin mars me 2 % ose 300 milionë lekë më shume. Administrata tatimore ka mundësuar që gjatë muajit mars të rimbursojë 580 milion lekë, ndërsa për 3-mujorin 1.2 miliard lekë TVSH biznesit, shifër kjo që një vit më parë rezultonte 480 milionë lekë vazhdoi më tej Bode. Ministri Bode bëri thirrje sistemit bankar të ketë më shumë besim tek biznesi, për ti mbështetur ata më shumë në nismat e tyre. Partia Socialiste e cila deklaron se kriza ekonomike në vend sa vjen e thellohet, ndërkohë që pushteti nuk bën tjetër veçse e maskon me gënjeshtra. Pas deklaratës së ministrit ka reaguar partia Socialiste. Gjatë një deklarate për mediat, deputeti socialist Sajmir Tahiri ka thënë se "shifrat frymëzuese që jep ministri Bode vijnë nga nevoja për ta fshehur rënien e përditshme të ekonomisë, njësoj si rezultatin e zgjedhjeve të kutive të mbyllura". Sipas tij, pyetja që kanë sot shqiptarët është: Pse u duhen më shumë lekë se dje për të blerë më pak se dje? Si ka mundësi që ka përditë e më shumë papunësi? "Përgjigja është e thjeshtë: Sepse pushteti i votave të grabitura nuk ka zgjidhje për krizën ekonomike, të cilën veçse e thellon duke e fshehur me gënjeshtra!", përfundoi ai.