Dyfishohen kreditë e këqija, rritet risku i sistemit bankar
Rritet numri i kredimarrëvesve që nuk shlyejnë detyrimet ndaj bankave. Banka e Shqipërisë ka evidentuar se gjatë vitit 2009 është rritur numri i kredive të këqija. Sipas raportit 8.2 për qind e kredive klasifikohen të këqija. Ndërkohë që një vit më parë u regjistruan 5 për qind kredive me probleme. Ndërsa në periudha tremujore të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë
tregojnë se kreditë e këqija janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 10 për qind të totalit nga 8 për qind që ishin në tremujorin e dytë të këtij viti. Rritja progresive e kredive me probleme ka nisur që në vitin 2007 dhe vijon në pësojë vetëm rritje. Të dhënat tregojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kreditë me probleme janë dyfishuar, ndërsa krahasuar me fillimin e vitit 2007 rritja është më shumë se tre herë. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga gjithë kredia e dhënë për ekonominë në vite është korrekte dhe shlyhet rregullisht vetëm 82 për qind e saj. Sipas statistikave të publikuara herë pas here nga banka qendrore mësohet se brenda më pak se 18 muajsh, kreditë e këqija u rritën me 2.5 herë, ndërkohë që portofoli i kredive u rrit me më pak se 10 për qind. Sistemi bankar shqiptar menaxhon 455 miliardë lekë borxhe, (rreth 3.3 miliardë euro), dhe nga këto, rreth 52.6 miliardë lekë ose 378 milionë euro klasifikohen si kredi të këqija. Kreditë e këqija nuk janë thjesht kredi të humbura, por paraqesin rastet kur kredimarrësit kanë falimentuar dhe bankat kanë filluar procedurat për nxjerrjen e pronave peng në shitje për të rikuperuar vlerat monetare të dhëna hua.
Kredi për individë
Rreth 59 për qind e kredive të marra në bankat e nivelit të dytë janë marrë nga kryeqytetasit. Brenda kredisë për individë, kredia konsumatore figuron e shpërndarë njëtrajtësisht në rrethet e tjera, përveç kryeqytetit. "Ndërkohë, kredia hipotekare është e përqendruar. Rreth 85 për qind e saj është dhënë në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, duke reflektuar përqendrimin e lartë të aktivitetit të ndërtimit dhe zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme në këto qendra. Kredia hipotekare zë pjesën më të madhe të portofolit të kredisë për individë vetëm në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që në rrethet e tjera ajo zë mesatarisht rreth 35 për qind." Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë të dorëzuar dy ditë më parë në kuvend mësohet se bankat në vend megjithëse e kanë përmirësuar disi situatën e tyre financiare në tremujorin e fundit të vitit 2009, kanë rezultuar me një portofol të kredive të këqija që shkon në 472 milionë dollarë amerikanë. Muajt e fundit të vitit 2009 tregojnë për një stacionim të kredisë së keqe, tashmë në disa vlera që nuk janë pa pasoja, por që mbeten ende larg rrezikut të besueshmërisë së bankave. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, për muajin dhjetor të vitit 2009, huaja e keqe ka mbërritur në 10.5 për qind të portofolit total të bankave të nivelit të dytë. Por, pavarësisht se këto hua nuk mund të quhen të humbura, pasi ato janë të mbuluara me provigjone, rritja me ritme të shpejta e kredive toksike rrit riskun e sistemit bankar. Ndërkohë sipas raportit të BSH-së, në fund të vitit 2007 treguesi i kredive të këqija ishte 3.31 për qind e portofolit, ose në vlerë absolute, 97.2 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 97 milionë dollarë (me kursin aktual të këmbimit). Për sa i përket treguesit në përqindje, vihet re një trefishim të kredisë së keqe në harkun kohor të një viti. Rritja e kredisë së keqe në vlerë absolute në harkun kohor të një viti në sistemin bankar shqiptar është më shumë se 500 për qind. Bizneset e rrethit të Tiranës kanë thithur rreth 74 për qind të kredisë për biznese. "Në Tiranë operojnë mesatarisht 40 për qind e bizneseve dhe gati gjysma e bizneseve me më shumë se 50 punonjës. Në përgjithësi, shpërndarja e kredisë, edhe pse shfaqet e pabarabartë, ndjek përqendrimin gjeo-grafik të bizneseve në vend. Gjithashtu, shpërndarja gjeografike e kredisë është në linjë edhe me profilizimin e rretheve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë."
Sistemi bankar
Bankat duhet të ndërtojnë një strategji të qartë komunikimi me publikun për produktet që ofrojnë, kushtet financiare me të cilat i ofrojnë këto produkte, dhe -veçanërisht e rëndësishme- për objektivat që ato kanë. Ndërsa transparenca duhet të përfshijë avantazhet konkurruese të tyre ndaj bankave universale në kushtet e financimit dhe në asistencën që ato janë të afta të ofrojnë në lidhje me miradministrimin e portofolit të kredisë. Financë e përgjegjshme do të thotë që edhe donatorët të zgjedhin partnerët më të mirë dhe më të aftë për të bërë këtë aktivitet, dhe të ushtrojnë presionin e tyre që institucionet në të cilat shpërndajnë fondet të garantojnë transparencën dhe informacionin e nevojshëm jo vetëm në memo e raporte, por në treg, atje ku është i dukshëm e transparent, për grupet e targetuara të interesit.
Depozitat
Sipas Bankës së Shqipërisë, tregu i depozitave shfaqet më i përqendruar për bizneset sesa për individët. "Rreth 90 për qind e depozitave të bizneseve qarkullon në rrethet me aktivitetin më të lartë ekonomik: Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier." Sipas raportit, rreth 78 për qind e depozitave të biznesit është në Tiranë. Nga ana tjetër, në Tiranë janë përqendruar rreth 1/3 e depozitave të individëve, pra kursimet që qytetarët dërgojnë në banka. Përveç Tiranës, e cila zë rreth një të tretën e depozitave të individëve, rrethet me emigracion të lartë, si rrethet bregdetare dhe ato të Shqipërisë së mesme, kanë gjithashtu një peshë të lartë në këto depozita. Duket se zonat malore, edhe pse kanë shumë emigracion dhe prurje nga jashtë, nuk parapëlqejnë të depozitojnë paratë në banka. "Ndonëse një pjesë e mirë e remitancave shkon në zonat malore dhe ato më të varfra të vendit, ato duket të përdoren kryesisht për të mbuluar nevojat për konsum, duke mos u kanalizuar në sistemin bankar."
Borxhi publik
Borxhi publik rezulton të jetë rritur gjatë muajve të fundit. Për këtë rritje, ai ka sjellë një sërë arsyesh që kanë të bëjnë me rritjen e shpenzimeve dhe atë të huamarrjes. Rritja e shpenzimeve, zgjerimi i deficiteve dhe rritja e huamarrjes dhanë ndikim të ndjeshëm në aktivitetin ekonomik të vendit. Treguesit e shitjeve, treguesit ekonomik dhe monetar tregojnë frenim të aktivitetit ekonomik, u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ai theksoi se në tregun e kredive, mbizotëron kredia në lekë dhe se sistemi bankar duhet të jetë larg pamës. Fullani shtoi se duhet të lehtësohen kushtet e kredimarrjes. Guvernatori Fullani ka bërë një panoramë të situatës ekonomike duke sqaruar se ka përmirësim në treguesit monetarë për tre muajt e 2010, ndërsa në lidhje me kreditimin kreu i BSH ka deklaruar se kushtet e kreditimit janë shtrënguar.Treguesit monetarë janë përmirësuar në 3 muajt e 2010. Ndërsa kushtet e kreditimit janë shtrënguar. Përgjithësisht mbizotëron kredia në lekë deklaroi kreu i BSH.
Banka e Shqipërisë: Norma e interesit, e qëndrueshme
Norma e interesit do të mbetet në të njëjtët shifra, 5, 25 për qind. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ky vendim garanton kushte të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë. Në veçanti, vendimet e saj do të faktorizojnë mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin, stabilitetin e sistemit financiar në vend, në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë vlerëson se tendencat e fundit korrektuese të treguesve