E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Të ardhura vitin e ardhshëm do të rriten me 28%

"Të gjitha institucionet që asistojnë vendin flasin për një rritje pozitive më të lartë se të gjitha vendet në kontinentin europian, gati tre herë më e lartë se rritja ekonomike më e lartë e vendeve europiane", siguroi ministri Bode.

Përsa i përket p/buxhetit të shtetit për vitin 2010, ai tha se të ardhurat në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2010 parashikohen të rriten, duke arritur kështu nivelin e 361 miliardë lekëve, ose 28.2 % e PBB-së, ndërsa shpenzimet parashikohen 411 milionë lekë, ose 31.2 % e PBB-së.

Ministri i Financave, Ridvan Bode tha se projektbuxheti i shtetit për vitin që vjen konsolidon dhe përmirëson projektet e shpallura si prioritete të qeverisë në kuadër edhe të integrimit euroatlanitk të vendit."Është realisht dhe tërësisht i realizueshëm pasi bazohet në politikat e parashikuara në Strategjinë për Zhvillimin dhe Integrimin e vedit, Kuadrin Makroekonomik e Fiskal, zhvillimet e ekonomisë së vendit gjatë viteve të fundit , ndikimeve të mundshme të zhvillimeve ekonomike e botërore, si dhe reformat ekonomiko-strukturore të ndërmarra e ato të pritshme", shprehet ministri Bode.

Përsa i përket p/buxhetit të shtetit për vitin 2010, Bode tha se synon një parashikim realist të treguesve ekonomikë e buxhetore për të arritur objektivat si: ruajten e stabilitetit makroekonomik dhe vijimësinë e zhvillimit ekonomik me ritme të larta, e cila shprehet në rritjen reale të prodhimit të brendshëm bruto në masën 6 %: mbajtjen e inflacionit rreth 3 %, që është brenda kufinjve të parashikuar nga Banka e Shqipërisë: mbajtjen e defiçitit buxhetor në norma të ulëta: reduktimin e defiçitit buxhetor: dhe zbutjen e defiçitit të llogarisë korente, i cili parashikohet në nivelin 12.8 %, nga 14.6 % që është në vitin 2009.

Sipas tij, në parashikimin e shpenzimeve për vitin 2010 janë mbajtur në konsideratë prioritetet e qeverisë. Duke u ndalur në prioritetet e qeverisë për vitin 2010, ministri Bode renditi 4 sektorë, arsimin, bujqësinë, shëndetësinë dhe infrastrukturën. "Shpenzimet për sektorin e arsimit parashikohen të arrijnë në nivelin 3.2 % e PBB-së, nga 3.4 % që u planifikuan në vitin 2009, duke arritur kështu vlerën absolute të 4.4 miliardë lekëve", vijoi Bode, ndërsa shtoi se "për sektorin e shëndetësisë shpenzimet parashikohen të arrijnë nivelin e 2.9 % të PBB-së, nga 2.7 % që u planifikuan në vitin 2009".

"Shëndetësia do të jetë prioritet për vitin 2010 dhe kjo nënkupton fillimin e një reforme të thellë për të përmirësuar shërbimin dhe për të risjellë në epiqendër të shërbimit shëndetësor pacientin, duke e konsideruar atë si elementin bazë të politikave të përmirësimit të shërbimit mjeëksor", deklaroi ministri Bode.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›