E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Zgjedhjet hap me rëndësi drejt BE-së

“Uroj popullin e Kosovës për zhvillimin përgjithësisht të rregullt të zgjedhjeve lokale dhe për atmosferën e mirë dhe konstruktive që ka mbretëruar. Kjo e ndihmon Kosovën në tranzicionin e saj drejt një shoqërie shumetnike dhe në përpjekjen e saj për të sjellë qeverisje më efektive dhe më afër popullit”, ka thënë Feith në një deklaratë.

Ai ka lëvduar punën e KQZ-së që ka pasur përgjegjësinë e plotë, si edhe përkushtimin dhe angazhimin e shoqërisë civile në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve.

Përfaqësuesi i BE-së ka përshëndetur pjesëmarrjen në këto zgjedhje të të gjithë komuniteteve, sidomos atij serb, duke shtuar se kjo “tregon se ka vullnet në mesin e të gjitha komuniteteve për ta marrë të ardhmen në duart e tyre dhe për ta ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme në Kosovë”.

Feith ka thënë se Bashkimi Evropian po i përcjell nga afër këto zgjedhje “me besimin që udhëheqësit politikë në Kosovë do t’i trajtojnë rezultatet dhe përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve në dhjetor, me frymën dhe maturinë e mirë si deri më tani”.

“Këto zgjedhje lokale paraqesin një hap thelbësor në angazhimin e Kosovës për të ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe stabile, duke kontribuar në bashkëpunimin rajonal drejt avancimit të mëtejmë të perspektivës evropiane si pjesë e Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar Feith. (telegrafi/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›