E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode del kundër Berishës për uljen e taksave

Situata e pafavorshme ekonomike nxit debatet në qeveri. Burimet nga PD-ja: Debati Berisha-Bode për qeverinë e re

Eljona Ballhysa
Situata e pafavorshme ekonomike në vend ka shkaktuar debatin e parë publik në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit Berisha për të ulur tarifën për mbrojtjen e doktoraturës. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave Berisha ka kërkuar uljen në masën 50% të kësaj tarife për shkak se nuk përballohet nga personat e interesuar. Por ky propozim është kundërshtuar nga ministri i Financave, Bode, i cili është shprehur se tarifa është mëse normale dhe se ai që vendos të mbrojë doktoraturën arrin ta përballojë një taksë të tillë. I gjithë debati është zhvilluar në sy të mediave të pranishme në minutazhin kur mbledhja e qeverisë zhvillohet me dyer të hapura. Burimet bëjnë të ditur se debati midis Berishës dhe Bodes shkon përtej mbledhjes së qeverisë dhe lidhet me pozicionin e këtij të fundit në qeverinë e re të PD-së. Sipas burimeve, një ndër emrat e lakuar që pritet të mos jetë më në kabinetin e ri qeveritar është ai i Bodes. Megjithatë, reagimi i ministrit të Financave është mëse i justifikuar duke pasur parasysh situatën ekonomike të vendit dhe krizën ekonomike botërore.
Debati
“Parimi është se askush nuk mund të pengohet për të vazhduar doktoratën për shkak të tarifës. Kanë vendosur jo vetëm tarifën prej 4 milionë lekësh, por kanë zvogëluar edhe numrin e atyre që do të kenë të drejtë për të mbrojtur doktoratën. Ky numër do të zgjerohet dhe nuk do të mbetet kaq i kufizuar sa e kanë përcaktuar. Ne kemi degë që janë ekzotike dhe janë shumë të rrallë ata që kanë doktoratë për shkak të këtyre qëndrimeve konservatore që mbahen. Kjo bëhet edhe më e vështirë në rast se vendosim tarifën 4 milionë lekë. Tarifa mund të jetë e mjaftueshme edhe 2 milionë. Nuk mund të ketë kompromis me tarifa kaq të larta. Jo të gjithë mund t’i paguajnë, por vetëm favorizohen ata që kanë. Shqiptarët kanë pasur dy modele; një model me taksa të ulëta, që e votuan, dhe modelin e taksave të larta, që e ngujuan në humbje. Këtu nuk mund të vijë modeli që u ngujua në humbje, por modeli që votuan shqiptarët, për taksa të ulëta në çdo gjë”, - është shprehur Berisha.
Ministri Bode ka ndërhyrë duke replikuar me të, ndërsa e ka cilësuar normale taksën prej 4 milionë lekësh. Bode është shprehur se personat që vendosin të mbrojnë doktoraturën i kanë mundësitë ta paguajnë një tarifë të tillë, pasi një praktikë e tillë ndiqet dhe në universitetet e huaja. Por Berisha ka sjellë në vëmendje situatën në Greqi, ku sipas tij universitetet janë falas.
Ekonomia
Kjo nuk është hera e parë ku ministri Bode kundërshton kreun e qeverisë së tij. Shpesheherë Bode është shprehur kundër deklaratave premtuese të Berishës, të cilat jo rrallëherë shkojnë përtej mundësive që ka qeveria. Megjithëse zyrtarët e lartë janë shprehur se Shqipëria nuk është prekur nga kriza ekonomike, gjithsesi situata nuk është e favorshme. Vendi ynë sapo ka përfunduar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat janë cilësuar ndër më të shtrenjtat e mbajtura ndonjëherë dhe që janë realizuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Po kështu, është vënë re mosrealizim i të ardhurave nga sektori i doganave dhe i tatimeve dhe rritje i numrit të kredive të marra nga individët. Investimet publike kanë zënë “zemrën e luanit” në buxhetin e shtetit, duke pasur parasysh ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. E gjithë kjo situatë e bën Boden të tregohet dorështrënguar me buxhetin ndaj kërkesave të kryeministrit Berisha, i cili shpeshherë nxitohet të premtojë përtej mundësive.

Qeveria s’ka para, përdor fondin e kontingjencës

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një vendim, i cili i hap rrugën përdorimit të fondit të kontingjencës për ndërtimin e rrugëve. Ky vendim flet qartë për situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi. Duket qartë se arka e shtetit është bosh. Kjo për faktin se fondi i kontingjencës përdoret vetëm për raste të jashtëzakonshme; në rast të ndonjë tërmeti apo tragjedie kombëtare dhe përdoret nga shteti për të normalizuar situatën në vend. Nga përdorimi i këtij fondi në një situatë të tillë duket se ndodhemi në mesin e një krize ekonomike. “Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të Nenit 12, të Ligjit Nr.10025, datë 27.11.2008, ‘Për buxhetin e vitit 2009’, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: Përdorimin nga fondi i kontingjencës, miratuar në buxhetin e vitit 2009, të 4 300 000 000 (katër miliardë e treqind milionë) lekëve, për programin e rrugëve nacionale, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, - shkruhet në vendimin e qeverisë. Miratimi i këtij vendimi përligj reagimin e Bodes në mbledhjen e djeshme të qeverisë, i cili u shpreh kundër uljes së taksave.

Topalli takon ambasadorin e Austrisë me rastin e përfundimit të misionit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi dje ambasadorin e Austrisë, Klaus Derkovitsch, me rastin e mbarimit të mandatit diplomatik në vendin tonë. Ambasadori Derkovitsch i ka përcjelle urimet e tij më të mira për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetarja e Kuvendit i shprehu mirënjohjen e saj për lidhjet historike e miqësore, mbështetjen e vazhdueshme që Austria vazhdon t’i japë Shqipërisë në të gjitha fushat. Lidhur me qëndrimin më të fundit të ministrit të Jashtëm të Austrisë, Spindeleger, ajo vlerësoi mbështetjen e vendosur që Austria u jep proceseve integruese të Shqipërisë dhe përpjekjeve për arritjen e standardeve të kërkuara për anëtarësimin e saj në BE.
Nga ana e tij, ambasadori Derkovitsch u shpreh se Austria do të mbetet mbështetëse e palëkundur e proceseve integruese dhe procesit të liberalizimit të vizave të Shqipërisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë Shqiptare për krijimin e kushteve të favorshme për investitorët austriakë në sektorë strategjikë të ekonomisë si në energji, banka, sigurime shoqërore e këshillim juridik dhe në mënyrë të veçantë në fushën e edukimit, kulturës dhe turizmit.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›