E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani reagon ndaj akuzave të Subashit: “Kolegji Zgjedhor zbatoi ligjin”



Vetëm një ditë pas akuzave publike të nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, ndaj Kolegjit Zgjedhor, ka reaguar dje kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Gjatë një prononcimi për mediat Ristani vlerësoi me nota maksimale punën e Kolegjit Zgjedhor dhe i quan politike e joprofesionale pretendimet se gjykata e zgjedhjeve u politizua. “Kolegji Zgjedhor në këtë rast përfundimisht i vuri vulën këtij procesi duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së dhe komentet, tashmë, që janë dhe jashtë kohës, nuk janë më aktualitet, për mua janë përsëri përdorim në funksion të interesave të caktuara politike dhe më vjen keq për këtë”, - është shprehur Ristani. Kolegji, ashtu si dhe KQZ-ja, rrëzoi pesë kërkesat e 2 anëtarëve të majtë të Komisionit Qendror për rinumërim në 5 qarqe. Kërkesa që sipas numrit 1 të KQZ-së, përveçse të pabazuara në asnjë provë ishin tërësisht politike. “Në rast se nuk konstatojnë asnjë parregullsi nuk mundet që subjekti përkatës zgjedhor të vijë dhe të ankojë në KQZ dhe të thotë që njerëzit e mi në qarqe të tëra s’kanë bërë detyrën, por praktikisht procesi i numërimit paska qenë i gabuar. Pra, duhet të kemi një provë paraprake dhe pastaj anëtarët e KQZ-së ta verifikojnë këtë pretendim, i cili është paraprakisht i bazuar në prova, atëherë mund të kërkojnë rinumërim dhe rivlerësim të votave të caktuara. Në konsideratën time, kërkesa për rinumërim të qarqeve të tëra, Berat, Shkodër, Tiranë, Durrës, do të thotë abuzim me këtë të drejtë”, - është shprehur Ristani.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›