Bode dhe BB: Si do rritet mosha e daljes në pension

Ksenyia Lvovsky, Indermit Gill dhe Bode
Ministri i Financave dhe kryekonomisti i Bankës Botërore: E domosdoshme, rritet jetëgjatësia, spërballohet skema.
Kryekonomisti i Bankës Botërore, Gill: Me rritjen e jetëgjatësisë duhet të inkurajohet të qëndruarit në punë.
Banka Botërore, e cila po asiston qeverinë shqiptare për reformën në pensione, ka dhënë sinjal të qartë se rritja e moshës së daljes në pension është një nga zgjidhjet më të mundshme të problemit. Gjatë prezantimit të raportit Rritja e artë: Rikthimi i shkëlqimit të Europës, Indermit Gill, kryekonomist i rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore u shpreh se duhet pasur kujdes nga skemat e mbrojtjes sociale që tejkalojnë kapacitetet. Ai rekomandoi që me rritjen e jetëgjatësisë të rritet edhe mosha e punës, duke dekurajuar kështu daljen e hershme në pension. Nuk di shumë detaje për Shqipërinë, por rregulli i përgjithshëm është që është shumë e vështirë të mbash një sistem mbrojtjeje sociale të qëndrueshëm në momentin që inkurajohen njerëzit të dalin në pension herët e më herët kur nga ana tjetër kemi rritje të jetëgjatësisë. Kjo është diçka nga cila duhet të mësojmë, tha Gill. Gjithsesi, sipas raportit të Bankës Botërore, më shqetësuese janë ato vende që shpenzimet për mbrojtjen sociale e kanë mbi 10 për qind të GDP-së së tyre. Shqipëria e ka 8.2 për qind të GDP-së shpenzimin për këtë aspekt, por sigurisht që duhet bërë kujdes, pasi financimi i këtyre skemave kur bëhet i vështirë fillon e merr fondet që janë të destinuara për sektorë themelorë, siç janë arsimi apo shëndetësia.
Ministri Bode
Për kreun e Ministrisë s Financave, Rdivan Bode, rritja e moshës së daljes në pension është një pjesë që është lakuar nga qeveria, dhe kjo do të parashtrohet tashmë në perspektivë gjatë reformës së skemës. Shqipëria iu nënshtrua një reforme më të hershme që rriti moshën e daljes në pension për plot dhjetë vite, ku çdo vit rritja ishte me 3-6 muaj kohë pune. Por, kjo tashmë përfundoi dhe sërish po shihet një diferencë e madhe mes rritjes së jetëgjatësisë dhe moshës së daljes në pension, çka po lëkund nga themelet skema të orientuara për mbrojtjen sociale jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të tjera të Europës. Shpenzimet për këtë skemë janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Mendoj se kjo është çështje e reformës në skemën e pensioneve, në mënyrë që Shqipëria të ketë një dimension të përshtatshëm të shpenzimeve që bëhen për këtë qëllim. Duhet thënë që këto shpenzime në vitet e fundit janë rritur në mënyrë të dukshme. Ato kalojnë 10 për qind të PBB-së nga 6 për qind që ishin 6 vjet të shkuara, shprehet Bode. Ai vlerëson se tashmë është momenti kur duhet të bëhet përputhja e kapaciteteve që ka qeveria për të përballuar shpenzimet e kësaj skeme me zbatimin e politikave të caktuara, në të kundërt, kjo do të ketë pasoja. Më vonë do të ketë probleme, sikurse kanë vendet e tjera që janë detyruar të ndërmarrin politika të menjëhershme në aspektin social për ta përputhur me dimensionet e qeverisjes. Është e nevojshme dhe e domosdoshme ndërmarrja e një reforme për skemën e pensioneve, tha kreu i Financave. Prej disa kohësh, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare janë duke punuar për reformën në skemën e pensioneve, pasi ishte pikërisht ky institucion që vuri alarmin se skema aktuale paraqiste rrezik falimentimi.
Termat të favorshëm, po jo niveli
Gill: Ulni borxhin, po paguani shumë interesa
Qeveria duhet të ulë borxhin publik nga niveli rreth 60 për qind në nivele të tjera lehtësisht më të menaxhueshme. Për kryekonomistin e Bankës Botërore, Indermit Gill, kjo është një pikë që duhet të jetë pjesë e axhendës së qeverisë, pavarësisht se termat me të cilët është marrë ky borxh nuk janë shqetësues. Problem për Shqipërinë është borxhi publik, pasi është në një përqindje relativisht të lartë krahasuar me GDP-në dhe me vendet që janë të të njëjtin grup me vendin tuaj. Njëkohësisht shqetësim që lidhet me borxhin është edhe shërbimi i tij, pra interesat. Edhe pse termat e borxhit publik të Shqipërisë janë të mirë, pra është një borxh i strukturuar, madhësia e tij është shqetësuese. Vende si Kroacia kanë gjysmën e këtij borxhi, apo Maqedonia që ka sa një e treta e këtij niveli. Kjo është një çështje që ju duhet ta shihni, tha Gill. Ai vlerësoi se një nivel 50 për qind duhet të kthehet në një synim, ndërkohë që ulja në 40 për qind do të ishte idealja, pasi nivele të tilla të borxhit publik janë të qëndrueshme dhe lehtësisht të menaxhueshme. Kjo nuk është hera e parë që Banka Botërore këshillon Shqipërinë që të zbatojë një rregull në funksion të uljes së borxhit. Nga ana tjetër, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka sugjeruar zbatimin e një rregulli të qartë fiskal për të ulur në 50 për qind borxhin për një afat të caktuar kohor. Qeveria nga ana e saj ka pranuar se do të fillojë me uljen e borxhit publik nga viti 2013, të paktën sipas kuadrit ekonomik dhe fiskal.
Raporti
Rritja e arte: Rikthimi i shkëlqimit të Europës, është raporti që kryekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Indermit Gill, prezantoi dje. Ky raport parashtron anët e forta të ekonomisë europiane dhe ato të dobëta, e parë kjo në një këndvështrim më të gjerë krahasues me vende të tjera në botë. Për ekspertët e Bankës Botërore, Europa ka një seri avantazhesh që lidhen me inovacionin, prodhimin dhe krijimin e asaj që quhet marka Europë ndërkohë që ka disa dobësi që lidhen me politikat e ndjekura të cilat, nëse ndërhyhet, mund të rikthejnë edhe një herë suksesin dhe rritjen në këtë rajon.
Avantazhi
Shqipëria për kryekonomistin e Bankës Botërore ka një avantazh që lidhet me pozicionin ku ndodhet. Pavarësisht krizës në Europë, ai vlerëson se rritja ekonomike e këtij rajoni është një tregues i mirë për të ardhmen e vendit tonë. Përballimi me sukses i krizës dhe ruajtja e rritjes ekonomike vlerësohen si tregues pozitivë për Shqipërinë. Përgjatë këtyre viteve, sipas Gill, Shqipëria ka përfituar edhe nga kapitali hyrës, i cili është orientuar nga vendet më të pasura drejt vendeve më të varfra. Nga ana tjetër, ministri Bode në fjalën e tij përmendi si avantazh uljen e burokracive dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
NERTILA MAHO