E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani prepotent, fitore prej kampioni në Parma

ITALI- Milani ka siguruar me forcë 3 pikët në Parma, duke fituar 2-0 dhe duke u konfirmuar ekipi pretendent për fitimin e titullit kampion. Asnjë shpresë për ekipin vendas, që e nisi ndeshjen mjaft mirë, por më pas u detyrua t’i nënshtrohej ligjit të më të fortit. Alegri nuk kishte në dispozicion gjysmën e skuadrës në ndeshjen e djeshme, por kjo nuk e ka ndalur aspak në marrjen e 3 pikëve vendimtare. Ishte sërish Zllatan Ibrahimoviç ai që udhëhoqi kampionët në fuqi të Italisë, ndërkohë që Emanuelson ishte nga më të lëvizshmit, duke marrë një penallti, duke humbur një rast me portë bosh dhe më pas duke shënuar golin e nokautit. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 17-të, kur pas një prekje të topit me dorë nga Zakardo, në gjuajtjen e Emanuelson, arbitri Banti akordoi një 11-metërsh. Ibrahimoviç ishte perfekt nga pika e bardhë, duke goditur në krah të kundërt të portierit. 4 minuta më pas, Emanuelson mund të kishte mbyllur ndeshjen, por gaboi fatalisht, duke gjuajtur lart me të majtën. Në fundin e pjesës së parë Parma goditi traversën, ndërsa Ibra për pak sa nuk shënoi pas një aksioni personal. Në pjesën e dytë, skuadrës së Alegrit i mjaftuan 10 minuta për të mbyllur sfidën, këtë herë me holandezin Emanuelson, që realizoi pas një aksioni të bukur personal. Ndeshja ka vazhduar të dhurojë momente të bukura, por më emocionuesi ka qenë ai i minutës së fundit, kur në fushë është rikthyer Xhenaro Gatuzo. Mesfushori mungonte që prej ndeshjes së 9 shtatorit, Milan- Lacio.

SERIA A
Kampionati italian do të vijojë sot me 7 ndeshje të tjera, ku spikasin ato që lidhen me zonën Champions. Lacio do të kërkojë 3 pikët në fushën e vështirë të Katanias, për të lënë pas zhgënjimin e sfidës me Bolonjën. “Nuk duhet ta lëshojmë vendin e tretë”, deklaroi trajneri Edi Reja. Ndërkohë, në mbrëmje, Udineze do të presë në shtëpi Napolin, një nga kundërshtarët e saj të preferuar në vitet e fundit. Skuadra e Guidolin vjen pas humbjes me Novarën dhe eliminimit nga Europa League, kështu që fitorja është alternativa e vetme. Por, përballë ka një prej ekipeve më të mira të Italisë, ndonëse mbrojtja duket shumë problematike për Maxarrin. Ndërkohë, në zonën e rënies spikat përballja e shqiptarëve Bogdani e Ujkani, në sfidën Siena-Novara. Ata pritet të jenë të dy titullarë në këtë takim.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›