E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode i përgjigjet FMN: Sistemi bankar në Shqipëri është i sigurtë

TIRANË- "Sistemi bankar shqiptar është i sigurtë dhe nuk rrezikohet nga kriza që ka përfshirë Eurozonën". Garancia është dhënë nga ministri i Financave Ridvan Bode, i cili ka reaguar një ditë pas publikimit të raportit të FMN-së për Shqipërinë, ku theksohej rreziku i ndikimit nga situata në Itali dhe Greqi.

Kryefinancieri Bode ka bërë të ditur gjithashtu që efektet e krizës të ndjehen sa më pak në ekonominë shqiptare.
“Ne kemi marrë të gjitha masat që ekonomia shqiptare të preket sa më pak ose të mos preket nga zhvillimet në rajon, cka do të thotë se nuk do të ketë implikacione të ekonomive të vendeve fqinje në ekonominë shqiptare, por që atë që po ndodh në ekonominë globale sigurisht që edhe ekonomia shqiptare do të adoptojë ritmet e saj në përputhje me zhvillimet dhe ritmet e ekonomisë rajonale. Bankat që veprojnë në tregun tonë mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë dhe janë në gjendje të mirë financiare”, tha Bode.

Ministri Bode nuk ka përjashtuar mundësinë e një rishikimi tjetër të buxhetit, i dyti për këtë vit, kjo duke pasur parasysh mosrealizimin e të ardhurave, që sipas të dhënave të dikasterit të financave për 9 mujorin vlerësohet në 6 miliard lekë.

“Buxheti nuk është tabu. Ata që mendojnë që do të ngurtësojnë buxhetin, ta kthejnë në një tabu thjesht se nuk duhet ndryshuar, kjo është gabim, nëqoftëse do të kemi zhvillime pozitive në ekonominë shqiptare, pse jo, mund të kemi edhe rishikim të buxhetit në terma pozitivë, por jo negativë. Gati të gjitha vendet e rajonit janë me të ardhura në buxhet më pak se periudha para krizës, ndërsa vendi ynë i ka rritur të ardhurat edhe 60 mld të tjera në tre vite”, shtoi Bode.

Pavarësisht ngadalësimit të ritmit të të ardhurave kreu i Financave Bode i ka qendruar parashikimit të tij për një rritje ekonomike 4% këtë vit.
(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Bode i përgjigjet FMN: Sistemi bankar në Shqipëri është i sigurtë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›