Itali, dy shqiptarë kapen me 12 kg heroinë në makinë
Policia italiane ka ndjekur dy shqiptarët, pas refuzimit të tyre për të ndaluar në postbllok. Arrestohen pak minuta më vonë
Një ndjekje e gjatë me makinë nga ana e policisë italiane në zonën e San Foca të Italisë ka vënë në pranga dy trafikantë shqiptarë, të cilët tentuan t’i arratiseshin policisë italiane me 12 kilogramë heroinë në makinë. Dy shqiptarët janë 45 dhe 47 vjeç, të cilët ishin duke lëvizur me një automjet të tipit “Ford Galaxy”, kur u diktuan nga karabinierët italianë. Së bashku me dy shqiptarët, automjeti mbante dhe plot 12 kilogramë heroinë. Dy shqiptarët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, refuzuan të ndalonin në një kontroll rutinë të karabinierëve në autostradë dhe menjëherë më pas nisi ndjekja e tyre. Për thuajse 30 minuta ka vazhduar ndjekja dhe dy shqiptarët kanë vënë në rrezik disa herë jetën e karabinierëve me qëllim që askush të mos u merrte atyre lirinë dhe drogën që mbanin në automjet. Më në fund, ata janë rrethuar nga automjetet e policisë dhe kanë dalë me duart lart nga automjeti i tyre, ndërsa për policinë italiane nuk ishte e vështirë të gjente plot 24 pako me heroinë, të cilët ata i kishin stivuar në bagazhin e automjetit të tyre. Dy shqiptarët tashmë akuzohen për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet pasi agjentët dhe hetuesit e antidrogës duan të arrijnë te furnizuesi i dy shqiptarëve.