E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode, marrëveshje me austriakët për reformat ekonomike

Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, nënshkroi dje dy marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë e Republikës së Austrisë. Bëhet fjalë për marrëveshjen e bashkëpunimit për procesin e përafrimit të Shqipërisë në BE dhe për marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar me Ministrinë Federale e Financave të Austrisë. Sipas kësaj marrëveshjeje, Shqipërisë i jepet një kredi me terma të buta deri në një shumë prej 25 milionë eurosh, për një periudhë dyvjeçare nga data e hyrjes në fuqi të saj. Ministri ka falënderuar ambasadorin austriak për angazhimin e tij në përgatitjen e këtyre marrëveshjeve, ndërsa ka vlerësuar se "marrëveshjet hapin rrugën e zgjerimit të bashkëpunimit të mëtejshëm mes qeverisë së Austrisë dhe qeverisë shqiptare". Ndihma e kredisë do të negociohet për fushat se ku do të aplikohet, ka sqaruar ministri Bode. Nga ana e tij, ambasadori Klaus Derkowitsch, ka theksuar se këto marrëveshje vijnë pas një bashkëpunimi shumë të mirë mes dy vendeve dhe pas një prezence të gjerë austriake në Shqipëri. "Ne synojmë që të rrisim prezencën e mëtejshme të biznesit austriak në Shqipëri dhe të rrisim bilancin tregtar mes dy vendeve", - tha ambasadori Derkowitsch. Deri më tani, shteti austriak ka financuar 50 projekte në Shqipëri me një portofol prej 28 milionë eurosh, kryesisht në fushën e ujësjellësve dhe turizmit.

Gjykata administrative

Prej disa ditësh, në vendin tonë kanë mbërritur ekspertë austriakë, të cilët do të asistojnë në përgatitjen e projektligjit "Për Gjykatat Administrative". Sipas Ministrisë së Drejtësisë, projekti për ngritjen e gjykatave mund të përfundojë në muajt tetor-nëntor 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›