E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Privatizimi nuk e shpëton KESH-in nga dështimi

Ish-drejtuesi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare në kohën e qeverisjes socialiste, Dritan Prifti, ka lëshuar dje disa qëndrime dyshuese mbi të ardhmen e KESH-it pas privatizimit. Sipas deputetit të LSI-së, privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në KESH nuk do të sjellë asgjë të re, sikundër pretendon qeveria. "Aktualisht kemi një ndërmarrje monopol të menaxhimit të energjisë elektrike në dorë të shtetit dhe së shpejti, ky monopol do të kalojë në dorë të privatit, i cili mund të rëndojë akoma e më shumë xhepat e konsumatorëve", tha dje Dritan Prifti, i cili është njëkohësisht anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Privatizimi i 76 për qind të aksioneve të OSSH, ndërmarrjes më të rëndësishme të KESH-it, forcon edhe më shumë idenë e rritjes së tarifave të energjisë elektrike nga ana e investitorit, në mënyrë që të garantojë fitimet, të cilat për një kohë të gjatë i kanë munguar drejtuesve aktualë të korporatës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›