E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në "Albpetrol", Ruli tregon skenarët

Deputetët anëtarë të Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese kanë kërkuar dje llogari nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli rreth reformës që po kryhet te kompanitë e naftës në vend. Reforma parashikon të prekë rreth 1700 punonjës, ku 1100 prej tyre janë të shoqërisë shtetërore të "Albpetrolit", ndërsa pjesa tjetër të ARMO-s. Ata e kanë kritikuar ministrin Ruli për mungesë të transparencës në zbatimin e reformës te punonjësit, duke dyshuar se kriteret e vendosura nga ministria nuk janë tjetër veçse politike. Ministri përgjegjës për privatizimin e dy shoqërive të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke marrë si shembull vitet e mëparshme, kur në kohën e socialistëve largoheshin me qindra punonjës pa u njoftuar më parë për reformën. "Ju më akuzoni se po ndërmarr një proces reforme, duke u bazuar më shumë te kriteret politike. Kjo nuk është aspak e vërtetë", tha ministri që në fillim të fjalës. Ruli tha se, "opozita nuk ka moral të mbajë qëndrim kundërshtues për reformën që po kryhet, për aq kohë sa në kohë kur qeveriste për tetë vjet nuk ka aplikuar asnjë masë lehtësuese sociale për punonjësit e larguar". Ministri përmendi rastin e shkurtimeve të bëra në vitin 2001, ku u larguan nga "Albpetroli" rreth 600 punonjës dhe nuk u trajtuan me një vit pagë, sikundër po veprohet aktualisht, por i drejtuan në zyrat e punës për të marrë thjesht asistencë. "Po ashtu, nuk është e vërtetë që janë hequr punonjës me bindje politike të majtë për t‘i zëvendësuar me të djathtët dhe kjo vërtetohet te numri i punonjësve që kanë ardhur pas vitit 2005", shtoi Ruli. Lidhur me transparencën, sipas ministrit, si nga ARMO ashtu dhe "Albpetroli", janë bërë takime të vazhdueshme që prej 6 muajsh me sindikatat që kanë kontratë kolektive pune, ku vërejtjet e sindikatave janë pasqyruar te kriteret e vendosura për zbatimin e reformës te punonjësit e naftës. Për sa i takon specialistëve, kreu i METE-s saktëson se, "numri i tyre është i pakët dhe nuk mendoj të jenë prekur nga reforma, e cila gjithsesi është e dhimbshme, por e domosdoshme për t‘u kryer, në mos sot, në të ardhmen".

Ministri pranon gabimet

Ministri Genc Ruli pranon se janë bërë gabime në zbatimin e kritereve të vendosura për reformën në sektorin e naftës. "Ka pasur probleme dhe ne kemi marrë masa për t‘i minimizuar ato, madje kemi shkarkuar edhe drejtorë, të cilët kishin shkelur rregullat. Megjithatë, mund të them se masa e abuzimit për largimin e punonjësve nuk shkon më shumë se 6 për qind për totalin e 17700 vetëve që do të prekë reforma".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›