E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paris-Londër: Kamionistë e peshkatarë, në protesta për çmimin e naftës

Parisi dhe Londra janë rebeluar ndaj rritjeve të çmimit të karburanteve. Shoferët e taksive dhe të kamionëve janë mbledhur në qendër të lagjes së biznesit për të protestuar, ndërkohë që përtej La Manshit, në kryeqytetin britanik, Londër, kanë dalë në rrugë qindra peshkatarë. Ata i kanë kërkuar qeverisë ndihmë për të përballuar rritjen e madhe të kostos e shtrenjtimin e jetesës. Në Paris shoferët e taksive dhe kamionëve, së bashku me automjetet e tyre, bënë një pelegrinazh të ngadaltë rreth zyrave qendrore të kompanive gjigande të naftës, "Total SA" në lagjen La Defense, që është edhe zona ku janë përqendruar zyrat e kompanive më të mëdha franceze. Sipas autoriteteve të kryeqytetit, kjo protestë e ndërpreu qarkullimin normal të mjeteve në zona të caktuara. Në qytete të tjera të Francës ka pasur gjithashtu demonstrata. Fermerët në zonat bregdetare kanë bllokuar portet dhe terminalet e naftës, si pjesë e protestës së nisur nga peshkatarët një muaj më parë, për t‘i kërkuar qeverisë ndihmë në kompensimin e çmimeve të larta të naftës. Peshkatarët nga Mbretëria e Bashkuar, gjatë demonstrimit në qendër të Londrës, u grumbulluan jashtë zyrave të departamentit përgjegjës për ushqimin, për të kërkuar mbështetje për industritë e tyre. Sipas tyre, rritja e çmimeve po e shkatërron biznesin e peshkimit, duke ua vështirësuar ekzistencën ndërmarrjeve të vogla që ndodhen në prag të falimentimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›