Bode nuk tërhiqet nga tenderi i Lotarisë, ankohen edhe turqit

Tenderi i djeshëm në Ministrinë e Financave
Hapet tenderi për Lotarinë Kombëtare. Marrin pjesë vetëm dy kompani, njëra Austria Lottery
Ankohen edhe turqit: Po kufizoni konkurrencën, do humbni miliona.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, tenderi për Lotarinë Kombëtare u hap dje me interesin e vetëm dy kompanive. Ankesat e kompanive të tjera me eksperiencë dhe imazh botëror nuk u morën parasysh nga ministri Bode, që jo vetëm nuk e shtyu tenderin, por e bëri atë fakt të kryer duke vërtetuar akuzat dhe dyshimet se gjithçka ishte vendosur që më parë.
Gazeta paralajmëroi dje se Austria Lottery ishte e vetmja firmë që plotësonte kushtet e paravendosura nga Ministria e Financave. Dje në orën 11:00 të paradites ishte pikërisht kjo firmë që paraqiti dokumentacionin për të marrë pjesë në tender. Surpriza ishte interesi i një konsorciumi tjetër, italo-çeko-qipriot. Lottomatica, Synot dhe GTECH janë bashkuar për të plotësuar kushtet e qeverisë në këtë tender.
Akuza turke
Gazeta zbuloi dje se edhe një firmë tjetër, këtë herë turke, i ka shkruar ministrit të Financave për të ndryshuar kushtet e tenderit dhe shtyrë zhvillimin e tij. Në një letër, personalisht për ministrin Bode, drejtori i Inteltek akuzonte Ministrinë e Financave për përjashtim të qëllimshëm nga konkurrenca të kompanive. Gjigandi turk, me xhiro vjetore prej 3 miliardë dollarësh, thekson fort se ndryshe nga dëshira e tyre për të investuar në Shqipëri, kushtet e tenderit kanë përjashtuar me qindra kompani nga gara. Me shqetësim të madh ne kuptuam se marrëveshjet për konkurrimin nuk garantojnë konkurrencë të plotë e të hapur dhe as inkurajojnë krijimin e vlerave për shtetin shqiptar apo promovojnë shpirtin e sipërmarrjes e vullnetit të mirë. Në mënyrë specifike ne duam të theksojmë se kërkesat e kualifikimit janë tejet dhe pazakonshëm kufizuese, pasi ato ua ndalojnë pjesëmarrjen operatorëve të aftë si Inteltek, dhe metodat e vlerësimit e dhënies së licencës fokusohen në elemente me pak rëndësi duke neglizhuar tërësisht komponentin e ofertave të çmimit, i cili është më i përbashkëti në vlerësimin e koncesioneve në mbarë botën, theksohet në letrën drejtuar Bodes.
Tenderi
Gazeta Panorama ka botuar gjatë ditëve të fundit letrat e dy kompanive, të cilat akuzojnë Ministrinë e Financave se ka vendosur kushte paracaktuese për fituesin e tenderit të Lotarisë Kombëtare. Gjigandët grekë të Intralot, në një intervistë dhënë për gazetën, theksuan se kushtet e vendosura nga Ministria i plotëson vetëm një firmë ndërkombëtare. Në tenderin e djeshëm, ashtu siç ishte paralajmëruar, nuk pati shumë kërkesa, por vetëm dy. Njëra nga kërkesat ishte ajo e paralajmëruar e Austria Lottery, ndërsa tjetra, edhe pse me tre emra, qartësisht italiane. Kjo pasi firma qipriote GTech, indirekt është pjesë e kompanisë italiane Lottomatica. Kjo e fundit zotëron rreth 75% të aksioneve të grupit ndërkombëtar GTech Holding. Por, akuza më e madhe vjen nga vlera e tenderit. Qeveria shqiptare kërkon vetëm 500 milionë lekë për fitimin e kësaj gare, ndërkohë që vlera e një licence të tillë në vende të tjera shkon në disa dhjetëra herë më e lartë. Në Maltë, një licencë e tillë u shit nga shteti për rreth 40 milionë euro. Edhe pse dy kompani i kanë shkruar zyrtarisht ministrit Bode për këtë fakt, ai jo vetëm nuk u tërhoq, por dje hodhi hapin e parë për përmbylljen e një tenderi që vetëm buxhetit të shtetit nuk i shërben.
Letra e kompanisë Inteltek, drejtuar ministrit Bode
Inteltek
Turqi, 19 qershor 2012
Numri INT GM/101106-12
Ftesë për aplikim, publikuar më 18 maj 2012
Ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë,
z. Ridvan BodeI dashur Ministër,
Unë, i nënshkruari Ahmet Sezer, CEO i Inteltek Teknoloji Yatirim ve Danismanlik A.S, ju shkruaj për tju shprehur shqetësimin tonë serioz në lidhje me modalitetet e konkurrimit për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare, të lançuar nga Ministria juaj nëpërmjet një Ftesë për Aplikim të publikuar më 18 maj.
Kompania jonë Inteltek, e themeluar në vitin 2001, ka fituar dy herë tenderët e organizuar nga Drejtoria e Spot Toto Organisation nën Drejtorinë e Përgjithshme të Rinisë dhe Sporteve (një organ qeverisës në varësinë e Kryeministrit të Republikës së Turqisë) për të siguruar të drejtat ekskluzive mbi veprimtarinë me bastet sportive në vend. Që atëherë kompania jonë është përforcuar dhe po funksionin mirë, për llogari të Drejtorisë, në lojërat e lotarive sportive në Turqi. Inteltek është tani një nga operatorët më të mëdhenj në botë në sektorin e basteve dhe lotarive të kontrolluara nga shteti, me një xhiro vjetore që i kalon tre miliardë dollarët dhe është bërë një organizatë shembullore dhe korporatë qytetare me kontributin e saj të rëndësishëm në publik dhe sportet turke.
Rritja jonë impresionuese, së bashku me aftësinë e punës të ndërtuar gjatë këtyre viteve, na ka përgatitur ne mirë për të kërkuar mundësi jashtë vendit, si pjesë e strategjisë sonë për të përfituar mbi potencialin e rritjes së investimeve në vendet fqinje. Si prove e aftësisë sonë ne kemi marrë autorizimin për të organizuar, operuar, menaxhuar dhe zhvilluar biznesin e basteve sportive në Azerbajxhan në janar 2010 dhe kemi nisur me sukses punën në janar 2011.
Në përpjekjet tona të zgjerimit të mëtejshëm në Europën Juglindore ne kemi identifikuar prej kohësh emergjencën e një tregu fitimprurës të lojërave në Shqipëri me potencial të madh investimi për ne, dhe në këtë kuptim, ne kemi më shumë sesa dëshirë për të konkurruar për marrjen e licencës së Lotarisë Kombëtare dhe për të investuar në zhvillimin e një pune të suksesshme. Ambienti i shëndetshëm i biznesit i krijuar nga administrata e qeverisë suaj dhe marrëdhëniet e ngrohta bashkëpunuese mes vendeve tona na bëjnë ne të besojmë se mund të ndërtojmë një partneritet reciprokisht të dobishëm me Ministrinë tuaj dhe të organizojmë një veprimtari shembullore të Lotarisë Kombëtare në Shqipëri.
Për këtë qëllim, ne u informuam mbi lançimin nga Ministria juaj, të konkurrimit për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare dhe detajet e procedurave të cilat ishin aprovuar më parë. Me shqetësim të madh ne kuptuam se marrëveshjet për konkurrimin nuk garantojnë konkurrencë të plotë dhe të hapur dhe as inkurajojnë krijimin e vlerave për shtetin shqiptar apo promovojnë shpirtin e sipërmarrjes e vullnetit të mirë. Në mënyrë specifike ne duam të theksojmë se kërkesat e kualifikimit janë tejet dhe pazakonshëm kufizuese, pasi ato ua ndalojnë pjesëmarrjen operatorëve të aftë si Inteltek, dhe metodat e vlerësimit e dhënies së licencës fokusohen në elemente me pak rëndësi duke neglizhuar tërësisht komponentin e ofertave të çmimit, i cili është më i përbashkëti në vlerësimin e koncesioneve në mbarë botën.
Reputacioni ynë flet për ruajtjen e marrëdhënieve të mira të ndërtuara mbi besimin me autoritetet kompetente në Turqi dhe Azerbajxhan, dhe në përpjekje për ti hapur udhë një marrëdhënieje të ngjashme të besueshme me ministrinë tuaj ne e shfrytëzuam këtë mundësi për të sjellë në vëmendjen tuaj shqetësimet tona.
Kam besim se ju do të merrni të gjitha masat e duhura për të siguruar një strukturë konkurrence të drejtë dhe të aftë, duke i lejuar Inteltek të marrë pjesë dhe të konkurrojë hapur për sigurimin e licencës fitimprurëse të lotarisë kombëtare.
Me nderime,
Inteltek Teknoloji Yatirim