E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompromis PD-PS, tri javë afat për reformën zgjedhore

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Miratohet sot ringritja e Komisionit. Çështjet që ndajnë palët.

Vendimi pas negociatave të 48 orëve të fundit mes ekspertëve.

Parlamenti do të rimandatojë sot Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili do të ketë edhe tri javë të tjera kohë për të përmbyllur ndryshimet në Kod. Burime zyrtare nga maxhoranca dhe opozita bëjnë të ditur për gazetën se pas kontakteve të 48 orëve të fundit u arrit gjuha e përbashkët për ti dhënë edhe një mundësi tjetër Komisionit të mbyllë tri çështje, më kryesoret e reformës. Çështja e parë që duhet të zgjidhin maxhoranca dhe opozita është ajo e përbërjes së KQZ-së. Zyrtarisht pakica ka propozuar formimin e një KQZ-je me 6 anëtarë, siç zgjidhen aktualisht, dhe kryetari të vijë nga një prej institucioneve të Drejtësisë, ose Avokati i Popullit. Ky propozim është hedhur poshtë që në fillim nga shumica dhe prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë lëvizje tjetër në këtë drejtim. Çështja e dytë po kaq e rëndësishme është dispozita ligjore për hapjen e kutive të votimit. Partia Demokratike gjatë mbledhjeve të Komisionit ka kërkuar që kjo dispozitë të jetë e detajuar dhe të parashikohen ekzaktësisht të gjitha rastet kur mund të hapen kutitë e votimit përmes dy anëtarëve të KQZ-së. Sipas PD-së, fillimisht duhet të ketë ankimim nga forca politike, të ketë prova bindëse dhe gjurmë në procesverbalet e KQV-ve dhe KZAZ-ve. Nuk mund të zëvendësohen 20 mijë komisionerë me 2 anëtarë të KQZ-së, shprehen burime zyrtare nga maxhoranca. Nga ana e saj opozita kërkon që dy anëtarë të KQZ-së të kenë fuqi të plotë në hapjen e kutive të votimit dhe vendimmarrja të jetë e menjëhershme në Komision sa herë që ata e kërkojnë. Pika e tretë, që duket se është më pak problematike nga dy të parat, është futja e teknologjisë në procesin zgjedhor. Shumica kërkon zbatimin e rekomandimit të OSBE/ODIHR-it, sipas të cilit, numërimi elektronik dhe pajisja që lexon kartën e identitetit në qendrën e votimit të aplikohen si projekt pilot në 10% të qendrave të votimit. Nga ana e saj opozita shprehet se rekomandimi i OSBE/ODIHR-it është vetëm sugjerim dhe niveli i shtrirjes së teknologjisë mund të jetë më i madh se 10%.

Gjiknuri: PD, përgjegjëse për reformën
Është absurde që kur je përgjegjës vetë, të akuzosh të tjerët. Gjëja e parë që duhet bërë, është që Komisioni të rimandatohet dhe të mbyllë pjesët e mbetura të reformës zgjedhore. Janë ato pika që nuk janë miratuar në tërësi, janë disa komente të OSBE-ODIHR që duhen riparë. Kjo është detyrë imediate. Përtej deklaratave është mirë të bëhen ca gjëra. Kemi kontaktuar për modalitetet për të ringritur Komisionin e Reformës Zgjedhore, sepse unë formë tjetër të negocimit gjithëpërfshirës nuk gjej përtej Komisionit të Reformës Zgjedhore, tha dje Gjiknuri.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›