Bode për Lotarinë Kombëtare: Proçesi për tenderin, transparent

Pas akuzave të disa kompanive për mungesë transparence dhe shkeljeve në Lotarinë Kombëtare, ka reaguar edhe Ministri i Financave, Ridvan Bode. Përmes një Konference për shtyp se licenca është dhënë sipas të gjitha kushteve dhe dispozitave të përcaktuara me ligj, duke shtuar se Lotaria Kombëtare zhvillohet nën masa të forta sigurie.
“Çmimi nuk mund të jetë kriter kryesor dhe as i vetëm për përcaktimin e fituesit por gjithsesi ne kërkuam asistencë të huaj”, u shpreh Bode.
Ndërkaq gjatë seancës së sotme parlamentare PS ka kundërshtuar fuqishëm në Kuvend procesin e tenderit për Lotarinë Kombëtare duke e cilësuar në kundërshtim flagrant më interesat publike. Deputeti socialist Erjon Braçe u shpreh se ky proces ka vetëm një synim, të plotësoje interesat e ngushta të kryeministrit. “Berisha mendon vetëm për përfitimet e tij dhe pasurimin e tij” është shprehur deputeti Brace.
Lotaria Kombëtare do të jepet me koncesion për një periudhë 10-vjeçare. Ofertë kanë paraqitur vetëm dy kompani, Lotto Austria dhe nga një partneritet mes tri kompanish, Lottomatica, GTech dhe Synot. Tashmë, Komisioni i Vlerësimit të ofertave do të shqyrtojë vlefshmërinë e tyre dhe më pas mund të shpall fituesin e tenderit.