E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode pranon skandalin: Sduam para nga Lotaria

Ministri i Financave, Bode

Ministri: Kriteri çmim do të na shumonte kriteret teknike.

Lekët do ti mbledhim për 10 vjet nga taksimi i xhiros

Ministri i Financave, Ridvan Bode, pranoi dje para mediave skandalin që po shoqëron dhënien e licencës për Lotarinë Kombëtare.
Në përpjekje për të theksuar faktin pse çmimi nuk përbën kusht për dhënien e kësaj licence, deklarata e ministrit përfundoi në formën e një justifikimi të pastër. Madje nga justifikim u kalua edhe në faturim përgjegjësish, duke sjellë argumentin se këtë formë të dhënies së licencës e ka propozuar konsulenti. Sigurisht që është më e vështirë dhe më e debatueshme që të mos kesh çmim, dhe do të ishte fare e thjeshtë që duke vendosur çmimin si të vetmin kriter me dhjetëra dhe mijëra kompani bastesh apo të tjera të kësaj industrie të kishin të drejtë të pretendonin. Kjo mënyrë nuk u pa e arsyeshme nga këshilltari, sepse nëse vendos çmimin, kjo pjesë do të ketë pikët më të larta në vlerësim dhe sfumon kriteret teknike, tha Bode. Një tjetër pikë ku ministri u ndal ishte ajo e argumentimit se pse pikërisht tani qeveria vendosi të japë një licencë të kësaj natyre. Sipas tij, ky lloj aktiviteti është objektiv i aktiviteteve të jashtëligjshme, siç është pastrimi i parave dhe se për këtë duhet të krijoheshin strukturat e nevojshme të mbikëqyrjes së tij.
Pse jo çmim
Në kohën kur një pjesë e mirë e vendeve po japin licencat për Lotarinë Kombëtare si variant për të plotësuar mangësitë në të ardhura për shkak të krizës, Shqipëria nuk ka kriter parësor të ardhurat. Ndryshe nga sa pritet, ku Ministria e Financave theksin duhet ta vërë si te shifrat, edhe te rregullsia e procesit, dje nga ministri Bode u dëgjua vetëm zëri i idealit, edhe pse ky i fundit nuk do mbushë arkën e shtetit aktualisht në vështirësi. Sipas kreut të Financave, Shqipëria duhet të ruajë të pastër imazhin dhe kredibilitetin, edhe pse vendosja e një çmimi dysheme paralelisht me kriteret e tjera aktuale nuk përbën kërcënim për imazhin. Ajo që në fakt qeveria ka menduar të bëjë është që ta shtrijë mbledhjen e të ardhurave nga kjo licencë për 10 vjet në formën e një koncesioni. Buxheti ka interesin e vet në këtë praktikë. Sigurisht, jo në formën e tarifës njëshe, pra e çmimit të licencës, por të tarifave të përvitshme që duhet të paguajë operatori dhe në kuptimin e ligjit që ne kemi bërë, më shumë se një licencë, ky është një koncesion me afat, sepse kemi vendosur një ligj që kompania që do të ushtrojnë Lotarinë Kombëtare do të paguajë në buxhet veç taksave që paguajnë kompanitë e tjera, edhe 10 për qind të xhiros, tha ministri. Por, forma e zgjedhur nga Shqipëria duket të jetë një nga format më pak të preferuara nga shtetet që kanë zgjedhur që të vendosin një çmim dysheme në fillim. Të tilla vende janë Malta, që këtë licencë e shiti për 39 milionë euro, ndërkohë që edhe Greqia është në proces.

Pse Austrian Lotteries do fitojë licencën e Lotarisë Kombëtare

Përfaqësuesit e Intralot: Lottomatica nuk i përmbush kriteret

Hapja e tenderit në Ministrinë e Financave

Ka dy arsyetime të forta se pse Austrian Lotteries do të fitojë tenderin për licencën e Lotarisë Kombëtare. Sipas përfaqësuesve të kompanisë Intralot, Austian është e vetmja kompani që ka hyrë në garë dhe përmbush të gjitha kriteret, kurse kompania kryesore e konsorciumit, Lottomatica, nuk i përmbush të gjitha kërkesat. Specifikisht Lottomatica, si anëtar kryesor i konsorciumit (janë kompania kryesuese pa diskutim, pasi është kompania e vetme mes të triave që ka certifikatën e Responsible Gaming dhe eksperiencën e kërkuar), nuk përmbush kërkesën për certifikimin e sigurisë, pasi certifikimi i sigurisë që ata posedojnë është lëshuar më pak se tre vjet më parë, shprehen përfaqësues të Intralot. Këtu lind edhe pyetja se pse Lottomatica po merr pjesë në një tender që e di që do të skualifikohet për mospërmbushje të kërkesave. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, e cila kritikoi hapur kushtet e Ministrisë së Financave për procesin, pjesëmarrja e Lottomaticas duket si një legjitimim procesi për të evituar kundërshtimin e hapur publik që mund të bëhej më vonë nëse në tender do të kishte vetëm një operator, siç është Austrian. Argumenti i dytë sipas kompanisë greke, që të bën të besosh se pse Austrian do ta fitojë këtë licencë, janë interesat e përbashkëta që dy drejtuesit kryesorë të kompanisë Austrian Lotteries dhe Lottomatica kanë.  Madje, çështja bëhet më e komplikuar po të përfshijmë këtu konfliktin e interesit nëse i referohemi pozicionit të tyre si pjesëtarë të borxhit të Shoqatës Europiane të Lotarive që ka asistuar Shqipërinë në këtë proces. Duhet që të theksohet që presidenti i Shoqatës Europaine të Lotarisë, zoti Friedrich Stickler, është zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Austrian Lotteries. Po kaq interesant është edhe fakti që Austrian Lotteries është e vetmja kompani që përmbush kriteret mes kompanive që morën pjesë. Sipas Shoqatës Botërore të Lotarive, në rregulloren e saj të miratuar në vitin 2007, Procesi i kërkesës për propozim (praktika më e mirë), theksohet se një konsulent palë e tretë nuk duhet të ketë konflikt interesi lidhur me prokurimin me ndonjë nga shitësit potencialë. Pra sërish, pse Lottomatica ka zgjedhur të marrë pjesë në një tender pa plotësuar kriteret e kërkuara, në vend të informimit për kriteret e kërkesës për aplikim (sikurse mund ta bënin gjatë procesit zyrtar të shpjegimeve? Ndoshta përgjigjja gjendet te fakti që Marco Sala, CEO dhe drejtor menaxherial i Lottomatica Group SPA, është anëtar i komitetit ekzekutiv i Shoqatës së Lotarisë Europiane nën presidencën e zotit Stickler, ndërsa Lottomatica vetë është një nga operatorët më të mëdhenj të Shoqatës së Lotarisë Europiane dhe një anëtar i shquar i saj, thekson Intralot. Kjo e fundit thekson që Lottomatica është futur qëllimisht në lojë në mënyrë që në tender të mos mbetej vetëm një operator, pasi kjo do të kishte kundërshtime të forta publike.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›