Betohen ministrat, Samaras: Formuam një qeveri uniteti

Samaras gjatë betimit si kryeministër
Qeveria e re greke, me 17 ministra, bëri dje betimin për të nisur punën nën drejtimin e Kryeministrit Antonis Samaras. Në kabinetin qeveritar me 39 anëtarë, 29 janë deputetë të Demokracisë së Re dhe pjesa tjetër janë joparlamentarë. Kjo është qeveri uniteti dhe qëllimi i saj është të rivendosë sigurinë për qytetarët grekë, tha Samaras për gazetarët pas betimit të qeverisë. Emri më i përfolur i qeverisë është ministri i ri i Financave, ish-bankieri Vasilis Rapanos. 65-vjeçari është ekonomist dhe ka shërbyer si kreu jo-ekzekutiv i Bankës Kombëtare Greke, huadhënësi më i madh i vendit që në vitin 2009, ku Rapanos ishte një nga figurat më aktive në projektin e ristrukturimit të borxhit kombëtar me bankat, një borxh prej 200 miliardë eurosh. Rapanos konsiderohet një person me të kaluar radikale gjatë kohës së diktaturës, madje ai ka bërë 4 vjet burg në Selanik për ideologjinë e tij. Sipas prestigjiozes britanike Financial Times, Rapanos u lirua nga burgu në vitin 1973, përfundoi studimet dhe mori doktoraturën në Kanada. Ai ka 30 vjet eksperiencë më financa. Kundër emërimit të tij kanë reaguar ekstremistët e Agimit të Arte të cilët e kanë cilësuar një njeri të PASOK-ut dhe kopje e Lukas Papademos. Për emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të kabinetit u ra dakord në bisedimet mes Samaras, kryetarit të PASOK-ut, Evangelos Venizelos dhe atij të DIMAR (E Majta Demokratike), Fotis Kuvelis, në një takim që zgjati disa orë. Dy partitë e tjera do ta mbështesin qeverinë e Samaras, por pa u përfshirë në të me figura politike. Shumica e re e Kuvendit grek ka 179 deputetë, nga 300 gjithsej. Qeveria greke synon të adresojë krizën, të hapë rrugën e zhvillimit dhe të rishikojë kushtet e marrëveshjes së kredisë, pa rrezikuar kursin europian të vendit apo qëndrimin në euro, thuhet në deklaratën e shpalljes së kabinetit të ri grek. Mbledhja e parë e kabinetit u mbajt vetëm një orë pas betimit të ministrave.
Qeveria greke
Kryeministër – Antonis Samaras
Ministër Financash – Vasilis Rapanos
Ministri i Jashtëm – Dimitris Avramopulos
Ministri i Brendshëm – Stilianidis Euripidis
Ministër i Mbrojtjes – Panos Panajotopulos
Ministër Drejtësie – Antonis Rupakiotis
Ministër Infrastrukture e Zhvillimi – Kostis Haxhidakis
Marina dhe Ishujt - Kostis Musurulis
Ministër Mjedisi – Evangelos Livieriatos
Ministër Arsimi e Kulture – Konstantinos Arvanitopoulos
Ministër Pune e Sigurie Sociale – Xhon Vrutsis
Ministria e Mbrojtjes Civile – Nikos Dendias
Ministër Shëndetësie -Andreas Lykurentzos
Reformat administrative – Antonis Manitakis
Ministër Maqedoni-Thrake – Theodoros Karaoglu
Ministër Zhvillimi Rural- Athanasios Tsaftaris
Ministre Turizmi – Olga Kefalogiani
Ministër Shteti – Dimitris Stamatis
Zëdhënës – Simos Kedikoglou
Komisioni Europian
Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, e mirëpriti krijimin e qeverisë së re greke. E mirëprita ngrohtësisht njoftimin. Mendoj se kjo dërgon një mesazh të qartë në lidhje me angazhimin e Greqisë për të respektuar marrëveshjet e saj dhe për të qëndruar në eurozonë, tha ai.
Jo emigracionit ilegal
Qeveria e re greke ka deklaruar se nuk do të tolerojë emigracionin ilegal në vend. Si krimi, ashtu edhe emigracioni i paligjshëm do të trajtohen me një politikë pa tolerancë, tha një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit të ri, Failo Kranidiotis për radion Vima.