E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode takim me ekspertët kontabël: “Luftoni informalitetin”



Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar se licencimi i ekspertëve të kontabilitetit është një nga reformat më cilësore të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Duke folur në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të ekspertëve të kontabilitetit, Bode theksoi se, reforma në fushën e kontabilitetit janë mjaft të rëndësishme për të përmirësuar transparencën dhe për të luftuar korrupsionin. "Ekspertët kontabël kanë një kontribut parësor, pasi ata do kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe krijimin e një atmosfere profesionistësh, për të kontribuar në ekonominë e vendit dhe për të luftuar informalitetin në ekonominë shqiptare",- theksoi Bode. Sipas tij, prej 6 muajsh u bë e mundur të zbatohet hyrja në profesion e kontabilistëve dhe ekspertëve kontabël dhe sot bëhet e mundur edhe certifikimi i 22 ekspertëve kontabël dhe 93 kontrabilistëve të miratuar. "Uroj të gjithë fituesit që pas kësaj do të nisin një rrugë të re, dhe këto certifikata konfirmojnë faktin se kanë një vlerësim më të lartë, por edhe një shkallë më të lartë përgjegjësie",- përfundoi Bode.

Ministria: “Shqipërinë brenda 6 muajve e vizituan 1 milion turistë”

Deri në muajin qershor, mbi 1 milion turistë të huaj, gjysma e të cilëve shqiptarë të trojeve etnike dhe emigrantë, kanë vizituar dhe kanë kaluar pushimet në Shqipëri. Sipas Statistikave të Ministrisë së Turizmit, numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2010, është rreth 1.001.105 persona. Sipas të dhënave zyrtare, numri i vizitorëve të huaj është 549.105, nga të cilët 135.812 janë vizitorë ditorë (eskursionistë), ndërsa 413.293 janë vizitorë me netë-qëndrime (turistë). Vizitorë me nënshtetësi shqiptare, të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme janë rreth 452.000 persona. Këta persona janë të ardhur nga Kosova, Maqedonia, si dhe emigrantë. Në periudhën janar-qershor 2010, hynë në Shqipëri, 26.908 vizitorë të huaj më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe numri i vizitorëve jorezidentë me nënshtetësi të huaj pati rritje afërsisht 5.2% krahasuar me 2009-n, dhe me vitin 2006, rritja është 77%. Gjatë periudhës janar-qershor, numrin më të madh e zunë vizitorët nga Maqedonia 21%, Kosova 19 %, Mali i Zi 12%, Italia 8%, Serbia 4%, Greqia 8%, Britania 3%, Gjermania 3%.

Plazhi i Velipojës braktiset nga turistët, shkak kriza ekonomike

Kriza ekonomike duket se ka prekur turizmin bregdetar në Velipojë. Pronarët e hoteleve dhe menaxherët thonë se, këtë vit ka rënie mjaft të ndjeshme të numrit të pushuesve, aq sa dhomat u kanë mbetur bosh. Për arsyet e kësaj gjendje ata rendisin në krye të listës infrastrukturën dhe krizën ekonomike. “Kriza globale ka ndikuar në tërë botën duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Një tjetër faktor i rënies së turizmit është dhe infrastruktura. Në krahasim me vitet e tjerë ka më pak turistë. Njerëzit që kemi pasur vjet në dhoma na kanë thënë se nuk mund të përballojnë shpenzimet për të pushuar këtë vit”- shpjegojnë ata. Në këto kushte, pronarët janë detyruar të ulin çmimet për të tërhequr të paktën pushuesit e mëparshëm të cilët këtë vit i kanë braktisur. Bregdeti i Velipojës i njohur për vlerat kurative, çdo vit është populluar nga pushues që vinin nga Shkodra e zona të tjera të vendit dhe nga mijëra pushues që ktheheshin nga emigracioni. Por këtë vit, duket se ky plazh nuk do të ketë të njëjtën pamje.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›