Bizneset, si do ta bëjnë deklarimin e ri të të ardhurave në tatime
Ervin KOÇI
Biznesi i madh dhe i vogël në shkallë vendi, do të përballet me një ndryshim të ri në procedurat e deklarimit të të ardhurave në Tatime. Këto procedura do të ndryshojnë në muajin shtator dhe që të gjitha do të jenë vetëm në formën elektronike. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ndërmarrë ditët e fundit një vendim teknik mbi mënyrën e deklarimit të të ardhurave tatimore, referuar edhe vendimit të qeverisë mbi ndarjen e kategorive të bizneseve. Urdhri është lëshuar nga drejtori i ri i Tatimeve, Gazmir Spahija, duke vënë në dijeni të gjitha strukturat tatimore. Mbështetur në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, udhëzohet zbatimi i rregullave të reja. Sipas vendimit, nga subjektet e regjistruara në biznesin e vogël, me qarkullim vjetor 5 deri 8 milionë lekë, si dhe nga subjektet me qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë, që ushtrojnë profesionet e caktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1058, datë 21.10.2009 “Për përcaktimin e kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke filluar nga periudha tatimore shtator 2010 (tremujori i tretë) e në vazhdim, krahas me deklarimin elektronik të detyrimeve për kontributet, do të dorëzojnë, në protokollin e organit përkatës tatimor, listë-pagesën sipas formatit bashkëlidhur “Listë-pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi (biznes i vogël)”, numër E-SIG 025/a.3.
Dokumentet
Subjektet e regjistruara në rrethet jo qendër qarku, listë-pagesën mund ta dorëzojnë dhe/ose në protokollin e zyrës së shërbimit të tatimpaguesve të rrethit përkatës, të cilat menjëherë sipas rregullave të përcaktuara i dorëzojnë në Drejtorinë Rajonale Tatimore. Në listë-pagesë, nga punonjësi përkatës i organit tatimor, sipas rastit, vendoset numri dhe data e dorëzimit në protokollin e zyrës së shërbimit të tatimpaguesve, apo numri e data e protokollit e Drejtorisë Rajonale Tatimore, të cilat i bëhen të njohura subjektit në momentin e dorëzimit të listë-pagesës. Subjektet e regjistruara në biznesin e vogël, të cilat kanë më shumë punonjës nga sa janë rreshtat që përmban formati i listë-pagesës bashkëlidhur Nr. E-SIG 025/a.3, të dorëzojnë në protokollin e organit tatimor përkatës tre listë-pagesa mujore (nga një për secilin muaj të tremujorit) sipas formatit të miratuar “Listë-pagesa e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi” E-SIG 025/a.1, që plotësohet nga subjektet e regjistruara në biznesin e madh.
Udhëzimi
“Për të vepruar në mënyrë unike lidhur me plotësimin dhe dorëzimin e listë-pagesave nga subjektet e biznesit të vogël me qarkullim vjetor 5 deri 8 milionë lekë, si dhe subjektet me qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë, që ushtrojnë profesionet e caktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1058, datë 21.10.2009, bashkëlidhur dërgojmë vendimin teknik Nr. 4/k, datë 14.7.2010 ‘Për ndryshimin e vendit të dorëzimit të listë-pagesave nga tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël”,- udhëzon drejtori i përgjithshëm i Tatimeve.
BOX///////////////////////
Ministria e Bujqësisë, marrëveshje me Tatimet për fermerët borxhlinj
Fermerët që përfituan nga skema e naftës pa akcizë duhet t’ia kthejnë paratë shtetit. Ministria e Bujqësisë njoftoi dje se planifikon të nisë aksionin për mbledhjen e borxhit, madje ka nënshkruar një marrëveshje me tatimet. Pakti i bashkëpunimit lidhet me ndjekjen e të gjithë debitorëve, të cilët rezultojnë nga Fondi Kundërparti, “Non Project Grand Aidi”, si dhe të gjithë debitorët e tjerë nga shpërndarja e naftës pa akcizë të shpërndarë në zbatim të projektit “Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR” në vitet 2004-2005, sipas VKM nr. 244, datë 23.04.2004, VKM nr. 703. Borxhi i subjekteve që kanë përfituar nga subvencionet në linjat e përpunimit, serat me ngrohje deri në datën 30.06.2010, sipas kësteve që duhet të kishin paguar deri në këtë datë pa penalitetet që shoqërojnë kontratën është 495058578 lekë, ose rreth 4.7 milionë dollarë. Sipas marrëveshjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të bëjë mbledhjen e detyrimeve në favor të AZHBR-së, detyrime të cilat rezultojnë nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale dhe detyrimeve që rrjedhin nga ligji.
21 Korrik 2010