E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat e papaguara, fiket shpresa për shoferët për të mos i paguar



Sipas ndryshimeve të reja në Kodin Rrugor, nëse një drejtues automjeti gjobitet, është i detyruar ta paguajë gjobën dhe jo të shpresojë sa të kalojnë 2 vite, në mënyrë që ajo të fshihet nga sistemi elektronik. Krahas katërfishimit të gjobave dhe dyfishimit të masave të tjera plotësuese, është zgjedhur edhe heqja e parashkrimit të gjobës. Kjo procedurë parashikohej në ligjin “Për Kundërvajtjet Administrative". Në të përcaktohej se, në rastet kur gjoba e vendosur për arsye të ndryshme, nuk vilej brenda dy vitesh nga momenti i marrjes së vendimit për dënimin e kundërvajtësit, ajo falej. Pra sipas këtij ligji, nëse gjoba nuk është paguar brenda harkut kohor prej 24 muajsh nga data kur është vendosur, kundërvajtësi nuk ka më detyrimin ligjor ta paguajë atë. Ky ka qenë dhe shkaku i aksioneve të herë pas hershme të efektivëve të policisë rrugore për mbledhjen e gjobave, ku me një kompjuter portativ ata kontrollonin targat e automjeteve, në rast se kishin gjoba që u kishte kaluar afati i pagesës. Në rastet kur automjeti rezultonte me gjoba të papaguara, Polici Rrugor bënte bllokimin e lejes së qarkullimit dhe patentës deri në momentin e pagesës së gjobës. Në ndryshim nga ligji "Për Kundërvajtjet Administrative", në propozimet e reja për ndryshimet në Kodin Rrugor, autoritetet kanë zgjedhur të mos e parashikojnë këtë dispozitë ligjore, duke mos përcaktuar asnjë afat kohor jashtë të cilit gjoba do të konsiderohej e djegur. Asnjë gjobë nuk do të jetë poshtë kufirit të 1 mijë lekëve. Rritje më e madhe vërehet në gjobat për tejkalim të normave të shpejtësisë së lejuar. Në rastet e tejkalimit të shpejtësisë jo më tepër se 10 kilometra në orë nga limiti e parashikuar, drejtuesi e automjetit gjobitet nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Në rastet kur shpejtësia është nga 10 deri në 20 kilometra nga limiti, gjoba fillon nga 4 deri në 16 mijë lekë, kur shpejtësia kalon mbi 20 kilometra nga limiti, gjoba varion nga 10 deri në 40 mijë lekë, si dhe shoqërohet me heqjen e patentës 3-6 muaj. Ndërkohë, qarkullimi i mjeteve në rreshta paralel, si mbajtja e krahut dhe pozicioni në rrugë, kalimi mbi barriera, sinjalistika dhe sinjalizimi, në rast të mos respektimit të tyre, gjobat janë nga 2-8 mijë lekë. E njëjta shumë parashikohet edhe në rastet e kalimit të gabuar nga njëra korsi në tjetrën, lënien e mjetit në rrugë në shkelje të sinjalistikës, etj. Siç vihet re, masa e gjobës nuk është fikse por varion duke u bazuar në shkeljen e bërë, si dhe gjykimin e Policit Rrugor. Duke marrë parasysh këtë fakt, në një pjesë të mirë të masës së gjobës është edhe në dorë të tij, ç'ka bën tejet të domosdoshme shtrëngimin e masave edhe ndaj abuzuesve me forcën e ligjit që shoqëria dhe shteti u ka dhënë në dorë.

Ndryshimet në masën e gjobave për automjetet

1. Dënohet me gjobë 1000- 4000 lekë
Kush nuk vendos rripin e sigurimit

2. Dënohet me gjobë 2000-8000 lekë
- Kush nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë ose kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë. Kush nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor ose sipas normave përkatëse të akteve në zbatim, si dhe sipas orientimit të policit të trafikut.
- Kush kalon në mënyrë ilegale barrierat e trenit, bën parakalim të gabuar, shkel largësinë e detyruar midis mjeteve, bën lëvizje të gabuara në rrugë, kalon nga korsia në korsi në mënyrë të gabuar, ndalon automjetin në vende të ndaluara.

3. Dënohet me gjobë 4000-16.000 lekë
- Kush tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë

4. Dënohet me gjobë 10.000-40.000 lekë dhe heqje patente 1-3 muaj
Kush kalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë (Për drejtuesit që kanë patentë prej më pak se 3 vitesh kohëzgjatja varion nga 3-6 muaj)

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›