E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat e vjetra që ndotin ambientin, gati plani për heqjen nga qarkullimi



Ervin KOÇI - Qindra automjete të vjetra që kanë shumë vite në përdorim rrezikojnë të mos dalin më në rrugë. Një udhëzim i ri i Ministrisë së Mjedisit në lidhje me kontrollin e gazrave të dëmshëm që ndotin ambientin, pritet që të prekë pikërisht automjetet që qarkullojnë në Shqipëri. Sipas parashikimeve, pritet që numri i automjeteve që nuk do të lejohen të qarkullojnë më në rrugët e vendit, do të jetë i konsiderueshëm. Por kjo do të bëhet vetëm pas një rinumërimi dhe një klasifikimi që Ministria e Mjedisit do të bëjë bashkë me Ministrinë e Transporteve, ku duket se do të jetë kjo e fundit ajo që do të përcaktojë dhe ndarjen sipas kategorive. Pas rritjes në mënyrë të ndjeshme të taksave në doganë, duket se kjo do të jetë lëvizja e radhës në ndryshimin e procedurave të kontrollit teknik të automjeteve të përdorura. Në mënyrë që të dekurajojë importimin e automjeteve të amortizuara, Ministria e Mjedisit dhe ajo e Transporteve kanë nxjerrë një udhëzim me anë të të cilit kanë ulur ndjeshëm nivelet e lejuara të emetimit të gazrave të dëmshëm dhe zhurmave nga automjetet. Të dyja ministritë kanë përcaktuara dhe normat e lejuara të gazrave për automjetet në varësi të vitit të prodhimit dhe karburantit që përdorin.

Kontrolli
Bashkë me rritjen e taksave në dogana dhe ato të rishitjes se mjeteve të përdorura, udhëzimi në fjalë pritet të nxjerrë nga qarkullimi një numër të konsiderueshëm automjetesh në vend. Për automjetet që kanë vit prodhimi të largët (mbi 20 vjet) norma e dioksidit të karbonit të lejuar është më e madhe se ato që janë prodhime të reja. Për shembull, një automjet i prodhuar para vitit 1986 mund të dalë në qarkullim edhe nëse e ka nivelin e dioksidit të karbonit deri në 4.5 për qind. Por një automjet i vitit 2002 nuk lejohet të dalë në rrugë nëse nivelin e emetimit të dioksidit të karbonit e ka mbi 0.3 për qind. Në rastet kur vërehen nivele të larta të emetimit të gazrave apo zhurmave, automjeti nuk pajiset me certifikatën e kontrollit teknik, ndërsa drejtuesi duhet të marrë masat për rregullimin e defekteve. Pas ndërhyrjes për përmirësimin e gjendjes teknike të automjetit, ai dërgohet përsëri për kryerjen e kontrollit të nivelit të gazrave, ku do të kalojë mbi të njëjtat procedura. Në mars të këtij viti, Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike, bashkë me udhëzimin për kontrollin teknik të automjeteve nxori edhe një manual. Mbi këtë, janë përcaktuar edhe tarifat për kontrollin teknik dhe atë të nivelit të gazrave.

Tarifat
Në rastet e konstatimit të mungesave të automjetit të cilat nuk përbëjnë rrezik për shkaktimin e aksidenteve, kontrollorët i japin një muaj kohë afat përdoruesit që të riparojë defektet dhe të paraqitet përsëri për një kontroll të dytë. Gjatë kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm, pronari i automjetit paguan tarifën standarde. Por në rastet kur kontrollorët e vërejnë defekte të automjetit, i japin atij një afat kohor prej 30 ditësh për t'i riparuar ato me kusht që të kthehet përsëri për një kontroll të dytë. Gjatë rikontrollit të dytë, përdoruesi i mjetit nuk paguan më tarifën e plotë por 40 për qind të saj nëse përdor linjat e kontrollit dhe 20 për qind nëse nuk i përdor ato. Por nëse vërehen përsëri mungesa në automjet, kontrollorët i japin përsëri kohë përdoruesit që t'i riparojë ato. Këtë rast, ai paguan 50 për qind të tarifës standarde në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe 20 për qind të saj kur nuk përdoren. Nëse përdoruesi i automjetit paraqitet pranë pikës së Kontrollit Teknik pas afatit 30 ditor tarifa paguhet e plotë.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›