E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bodrumi” i Fadil Hysës



Në Teatrin Kombëtar të Kosovës për herë të parë u shfaq premiera e një drame që bënte fjalë për terrorin psikologjik dhe ankthin nëpër të cilin kanë kaluar njerëzit në qytetet e Kosovës gjatë luftës, të cilët nuk kanë arritur ose nuk kanë dashur të largohen nga Kosova. Regjisori Fadil Hysa para shfaqjes është shprehur se nuk u ka kërkuar aktorëve që të aktrojnë, por të japin atë që edhe e kanë përjetuar gjatë luftës, duke tentuar teatrin natyral, që shfaqja të ketë sa më pak teatër dhe sa më shumë jetë. Por ia ka arritur kësaj Hysaj, pavarësisht filozofisë, motivit politik dhe memuaristik

“Bodrumi” i Fadil Hysës

Shfaqjen “Bodrumi” të regjisorit Fadil Hysajt, që ka për autor Ilir Gjocajn, mund ta quash një lloj tragjedie që përfundon me një vrasje të një djaloshi të ri, por më shumë ka të bëjë me dramë dhe me ndërtim jo të plotë të personazheve. Kur them ndërtim jo të plotë, këtu prek protagonistin e veprës, një profesor i interpretuar nga aktori Bislim Muçaj. Që nga fillimi i veprës ky personazh na shfaqet disi me defekte psikologjike, ana e tij e brendshme devijon, por nuk arsyetohen nga pika këto defekte, a janë nga lufta momentale e ndodhur, sepse të jenë nga lufta, duhet futur ndokund në tekst pushtimin e defektit të padëshirueshëm. Andaj gjatë konfliktit me gruan e tij, Sheqerie Buçaj, ky personazh na del i paaftë seksualisht, ngase nuk ka bërë marrëdhënie seksuale një kohë të gjatë me të, e ajo as që ëndërron të ketë. Përse të gjitha këto akuza si një ombrellë mbi këtë personazh të pashpjeguara profesionalisht? Si kanë munduar ata të jetojnë së bashku pa kryer marrëdhënie seksuale për një kohë të gjatë. Burri në këtë anë na del i paaftë seksualisht, kurse gruaja e interpretuar nga Sheqerie Buçaj, e cila vazhdimisht kishte raporte të afërta me doktorin, krijonte një ndjenjë tradhtie të pashfaqur. Tradhtia dukshëm pushton mendjen e profesorit Muçaj, madje me gjysmë zëri i thotë gruas së tij, por mohimi është edhe më i madh. Kjo shfaqje është e pushtuar me emocione të përziera si: luftën, dashurinë, tradhtinë e gruas, frikën dhe çmendurinë. Të gjitha këto gërshetohen, puqen njëra me tjetrën, por nuk arrijnë të na prekin thellësisht. Ndoshta është dashur ende punë me emocionet dhe raportet mes aktorëve.

Teksti dramatik ishte ndërtuar me disa gabime, sidomos raportet me babanë dhe djaloshin. Babai na vjen si një akuzues i flaktë ndaj fëmijës, një xhelat, por në shpirt e do tej mase dhe kjo vërtetohet me humbjen e përjetshme të tij, sepse njeriu vetëm kur e humb dikë ia di vlerën esenciale. Unë fajësoj sjelljen e babait në këtë rrethanë lufte, se dihet që njerëzit në momentin e luftës janë të lidhur më ngushtë me njëri-tjetrin, madje dashuria mes tyre rritet.

Mendoj se, në kohë të luftës, në një panik të pashpjeguar, personat e mbyllur mes katër mureve, që shpresat dhe premtimet e tyre jetojnë në këtë “kuti” të vockël, shoqëri kryesore kanë panikun, e këtë gjë shumë vakët e shfaqnin aktorët, ku më shumë dominonin pauzat logjike sesa paniku i luftës, i cili duhet të ishte pjesë kryesore e shfaqjes. Prandaj pauzat rrënonin në çdo aspekt shfaqjen, bëheshin farefis i ngushtë me monotoninë. Një gjë që do veçoja, skenografinë - ishte në nivel të mirë, e shfrytëzueshme deri në maksimum me një estetikë të mirëfilltë dhe të qëlluar, një imazh tipik shqiptar duke filluar nga perdet e dekoruara, nga tavolina e mbuluar, e deri në pjesët e tjera, që në shumë raste jepnin imazhin e goblenëve.

Sa i përket konceptit regjisorial, nuk kishte shumë kthesa, zigzage që do na shqetësonin ndjenjat, nuk ishte arritur ajo ndjenjë e zezë e luftës, pasiviteti ishte armik kryesor i regjisë, por në disa momente përpiqej të kalonte në kulminacion me një bar të rëndë stanjues. Mungonin detajet interesante, sqarimet e aktorëve për situatat kaotike, çfarë është duke ndodhur jashtë. Disa efekte jepnin këtë imazh, por ishin të zbehta jodepërtuese. Ndërkaq, aktrimi në disa situata ishte në nivel të mirë, do veçoja aktorin e ri, Muhamed Arifin dhe Vedat Haxhiislamin. Arifi arriti të sfidojë personazhin, raportet me prindin, nënën, të dashurën dhe me të afërmit e tjerë, që ishin në nivel të mirë, sidomos me babanë e tij dhe nënën. Prej fillimit e deri në fund, ai ka notuar në personazhin e udhëzuar të dramaturgut, asnjëherë nuk ka devijuar në pakuptimësinë, gjithherë bëhej më luftarak me rolin. Por, Haxhiislami, i cili luante një doktor, ka arritur të futet në sekretet e personazhit, të dalë nga natyra e tij reale, të mbajë sinqerisht vijën e drejtë të personazhit, t’i ndajë raportet me të tjerët, dhe asnjëherë lëvizjet e tij të jashtme nuk ishin të pakontrolluara, duke bërë saktësisht një dirigjim të vetes. Por, aktorët të tjerë, më shumë dukeshin si kukulla në skena, nganjëherë qëndronin të pamotivuar.

Respektoj punën dhe qëllimin e regjisorit Hysaj, që nuk e lë të tretet situatën e kobshme të së kaluarës, që përmes artit ta ringjallë tragjedinë e vërtetë, tragjedi të cilën regjisori kujton që shumë njerëz e kanë harruar dhe ka të drejtë, se asnjëherë nuk është bërë ndonjë shfaqje apo film i thellë për këtë temë prekëse. Por, njeriu kur dëshiron të futet tek një e kaluar, të na kujtojë tragjedinë, duhet aq thellë ta përjetojë në subjektivitetin e vet, të bëhet vetë ai protagonist tragjik, saqë ne si shikues duhet të rrëqethemi, me emocionet dhe skenat shokuese të shfaqura nga dhënësit e mesazheve.

Aktorët gjatë gjithë shfaqjes janë munduar të bëjnë një aktrim natyral, apo spontan, por në disa momente veprimet e tyre të jashtme nuk ishin të kontrolluara nga ana psikologjike, dhe e brendshme, sidomos tek aktorja Sheqerie Buçaj, më shumë kemi parë emocione të stërmadhuara, patetike, veprime të jashtme të pakoordinuara, që me pak mjeshtri shfrytëzonte elementet e vdekura dhe vazhdonte raporte me burrin e saj që e urrente me shpirt. Aktorja nuk ka arritur të bëjë përshtatjen spontane të personazhit, ta njoftojë botën e natyralitetit të tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›