Ruli fton biznesin kroat të investojë në energjitikë
Kompanitë kroate mund të jenë investitorë të mundshëm në burimet e reja energjitike në Shqipëri. Ministri Ruli i ka ftuar investitorët kroatë të vijnë të investojnë në sektorin energjitik në vendin tonë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Genc Ruli, u takua dje me zv.kryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë së Republikës së Kroacisë, z. Damir Polancec, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë të cilës do të marrë pjesë dhe në çeljen e Forumit të Krans Montanës. Në fjalën e tij në këtë takim, ministri Ruli ka theksuar se Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit me Kroacinë, ashtu si edhe me vendet e tjera të rajonit, duke shpresuar se ky bashkëpunim i shërben rritjes së besimit reciprok, rritjes së shkëmbimeve në të gjitha fushat, përshpejton ritmet e zhvillimit në secilin vend dhe mbi të gjitha i shërben paqes dhe sigurisë në secilin vend dhe në rajon. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare aktive e shumë nismave të tjera rajonale, duke mbajtur një qëndrim konstruktiv në bashkëpunimin rajonal dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duke luajtur një rol në rritje në kuadër të bashkëpunimit ekonomik e tregtar si p.sh. në: CEFTA (Central European Free Trade Agreements, SEECP (South East European Cooperation Process); CEI (Central European Initiative). Ministri Ruli e ka njohur gjithashtu z. Polancec me hapat e deritanishëm që ka bërë Shqipëria në lidhje me fillimin e Programit Bërthamor. Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore kanë qenë dhe janë në kontakt institucional me departamentet dhe sektorët përkatës të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (Kombet e Bashkuara) dhe kanë filluar të grumbullojnë dhe të vlerësojnë përvojat e vendeve të tjera, të cilat kanë ndërmarrë dhe përfunduar me sukses një program energjitik bërthamor. Dy ministrat kanë folur ndër të tjera edhe për Projektin e Gazsjellësit Jonian-Adriatik (projekti IAP), i cili përfaqëson një ndër projektet më të mundshme dhe me mjaft interes për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të cilin ekziston një mbështetje e gjere politike në rajon (Traktati i Komunitetit të Energjisë) dhe në BE. Gazsjellësi IAP do të shtrihet në gjithë bregdetin e detit Adriatik nga Kroacia deri në Shqipëri (në Fier), duke përshkuar Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Projekti është propozuar nga kompania kroate e transportimit të gazit, PLINACRO, si dhe strukturat e METE. Kapaciteti transportues është deri në 5 bcm në vit. Duke marrë në konsideratë rolin e rëndësishëm që luan sektori energjitik në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, ministri Ruli ka thënë se është mjaft e rëndësishme të thellohet më tej bashkëpunimi në këtë fushë. “Kjo mund të arrihet me pjesëmarrjen e kompanive kroate në ndërtimin e burimeve energjitike në gjenerim (HC-e/ TEC-e); me krijimin e rrjeteve të komunikimit dypalësh (mes dy ministrive të energjitikës) duke u nisur nga nevoja e shkëmbimit të informacioneve dhe eksperiencave në fushën e energjisë apo krijimit të tregut rajonal të energjisë, në zbatim edhe të traktatit të Themelimit të Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore; me furnizimin me energji elektrike të Shqipërisë nga kompanitë kroate”.