Kame si të tjerët, regjisor i “shtetit”
Gëzim Kame është nga ata regjisor që i njeh shumë mirë çështjet e biznesit dhe tregun e teatrit. Por vazhdon të mbetet një regjisori i “shtetit”, pra i Teatrit Kombëtar ashtu siç bëjnë dhe shpura tjetër e sojit të tij në Tiranë. Për t’i marrë gjykimin pse teatri ka mbetur pa treg, pa konkurrencë, ai i përgjigjet me një fjalë - kemi një situatë teatrore në asfiksi. Dhe për të gjithë këtë gjendje fajin e ka ligji, që prej dhjetë vitesh miratuar dhe që është i paaplikueshëm. I ngacmuar jo pa arsye në këtë pikë, dje në konferencën për shtyp, regjisori na bind edhe një herë se teatri ka ngecur në vend, jo aq për një nxitje të vullnetit politik. Se po të dojë kjo kastë regjisorësh dhe aktorësh, për këtë ka precedentë, e përmbysin ligjin, dhe e kanë potencialin të ripropozojnë një ligj të ri. Sepse edhe teatri si çdo biznes në treg, do licencë, legalizim të selisë, do skenën, do para... Por siç duket për ta cytur këtë “tregti”, askujt nuk i ka leverdisur, deri më sot, aq më tepër nuk ka bërë vaki që regjisorët, si vullnet intelektual, të kërkojnë rishqyrtimin e ligjit.
Ja kujtuam këtë episod të stërpërsëritur regjisorit Gëzim Kame, nëse ai është i gatshëm për këtë lloj “sakrifice”, që ta gjejë vetë punën, tregun, aktorët, paratë, skenën etj., shpenzime të kësaj natyre biznesi, pra të ngrejë një kompani teatrore.
Sigurisht që jo, Kame nuk kishte luajtur mendsh që të na pohonte për mediat se mund të ketë ndonjë kompani teatrore të paligjshme, dhe që kjo shfaqje nesër pas nesër të shënohet si produkt i tij. Realisht kjo ka ndodhur me të tjerët dhe me gjysmë zëri pohojnë se nuk kanë mund ta publikojnë se licenca e tyre është kompani, duke funksionuar si e tillë në logon e shoqatës.
Por fjala për Kamen vjen për faktin se është një nga regjisorët, ashtu si Albert Minga, që gati çdo vit marrin fitojnë projekte nga Teatri Kombëtar - madje dhe aktorët i kanë të deklaruar, ato më të preferuarit. S’do guxonim ta përmendnim këtë në kushte normale, sepse këta aktorë të preferuar janë edhe profesionistë - ai grup aktorësh që mbajnë mbërthyer si regjisorët dhe publikun - që do s’do i duartroket fort.
Në shfaqjen që do të na sjellë këtë herë Kame ka të bëjë me një komedi- “Të gjithë me huqe”, shkruar nga francezi Lorent Bafi, shqipëruar nga Nonda Varfi, dhe Viktor Bakillari, që do të ngjitet në skenë nga aktorët Roland Trebicka, Rajmonda Bulku, Genc Fuga, Olta Daku, Ermela Teli. Pse regjisori i ka zgjedhur këta aktorë-përgjigja e vetme ka ardhur prej Kames - se ata adaptohen me komedinë. Ndërsa vetë aktorët kanë nisur “lojën” - “pse më zgjodhi mua”- pa dhënë asnjë argument nëse mund t’i kenë kërkuar regjisorit çfarë sheh tek ata, pse i përzgjodhi, pse e kanë pranuar ofertën e regjisorit Kame. Duhet rënë dakord se arsyeja e pranimit të rolit prej aktorëve është A-ja nga niset një shfaqje, një vepër. Por këtë gjë, dje, në konferencën për shtyp e bëri vetëm regjisori me përgjigjen e tij të qetë - ndërsa aktorët vazhdojnë të bëjnë “ligjin” me arrogancën e tyre, duke mos u përgjigjur. Kjo nuk dëmton publikun, as median, por vetë regjisorin qysh në prezantimin e tij të parë. Ndoshta këtë do të na e tregojnë dhe me moralin e shfaqjes, që pritet të shfaqet në 2 maj. Bafi është nga ata autorë që flet qartë për huqet e njerëzve, dhe Kamja do na e zbardhë në veprën e tij për një skenë dhe publik që është ngop me këto mbarsje. Dhe regjisori është si mjeku i shfaqjes që projekton gjithë skenën për “pacientët” e tij. Nëse në vepër Bafi ia ka arritur qëllimit të tij për një publik universal - tani presim Kamen të na japë krijimtarinë e tij origjinale në skenën shqiptare.
V.Murati