Ibrahimoviç: “Me Interin këtë vit Champions”

Blerja e madhe e Kristian Civu dhe objektivat për vitin e ardhshëm. Zlatan Ibrahimovic rrëfen për mikrofonat e Mediasetit të tanishmen dhe të ardhmen, të tijën dhe të Interit. Dhe gjiganti suedez e nis nga rumuni. "Civu është një mbrojtës i madh dhe kur të vijë do të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë". Në sulm Ibra ka një shok të ri, Suazon, dhe ndoshta edhe Adrianin e rilindur. "I pari është një lojtar i madh, me cilësi dhe shpejtësi. Të luash me të është e lehtë. Adriano është mirë, është duke punuar dhe dalëngadalë do të vijë edhe ai. Unë? Jam mirë, edhe pse më mungon akoma edhe pak forcë në këmbë". Këtë vit kampionati italian do të jetë shumë më i vështirë, me Milanin që nuk e nis sezonin me pikë të penalizuar dhe Juventusin sërish në Serinë A. "Duhet të vazhdojmë në shinat e vitit të kaluar, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, pasi si kampionë në fuqi do të jemi vazhdimisht nën presion. Juventusi? Është i fortë, besoj se mendojnë se mund të fitojnë. Ne? Është më mirë të fitosh nga një gjë për cdo herë. Këtë vit theksin e kemi vendosur në Ligën e Kampioneve".
Zidan
Pas Dejvid Bekhamit, skuadra amerikane Los Anxheles Galaksi ëndërron Zinedin Zidan. Oferta për francezin është 36 milionë euro në vit.
Maradona
Diego Armando Maradona do të rikthehet në fushë me rastin e një ndeshjeje (7 me 7) midis Argjentinës dhe Uruguajit, e programuar për më 5 gusht.
Kanavaro
Fituesi i "Topit të artë 2006", mbrojtësi italian Fabio Kanavaro, pas ardhjes së Metzelder dhe Pepes nuk e ka më vendin të sigurt te Reali.
Ronaldo
"Fenomeni" brazilian mund të nisë një aventurë në Nju Jork vitin e ardhshëm. Një emisar i MLS-së ka kontaktuar me Milanin për të kërkuar brazilianin.