Një buqetë prangash për të hequr vizat
“Shqipëria duhet të ketë një strategji për riatdhesimin e shqiptarëve, duhet të forcohen kapacitetet për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit". Kjo ishte deklarata që bëri më 27 maj komisionerja europiane për çështjet e drejtësisë, Sesilia Malmstrom, pasi njoftoi se Komisioni Europian miratoi propozimin për heqjen e regjimit të vizave të Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, por vetëm nëse të dy vendet do të përmbushin kushtet e mbetura.
Në ditët që mësuan këtë deklaratë, opinioni publik në Shqipëri u njoh me një valë arrestimesh për “korrupsion”.
Në Korçë u arrestuan pesë policë, sepse u kërkonin ryshfet në shuma nga 200 në 500 lekë shoferëve të furgonëve e taksive. Në Kapshticë u arrestua një doganier, presidenti i një firme import-eksporti dhe dy punonjës të kësaj firme, sepse kishin shmangur një pagesë prej 10 mijë lekësh në doganë. Në Tiranë u organizua operacioni “My baby”, që çoi në pranga dy mjekë, të cilët akuzohen se kanë marrë një ryshfet prej 50 mijë lekësh për një operacion. Në Berat, prokuroria nisi një hetim për Drejtorinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, me dyshimet se ka lejuar ndërtime që nuk përmbushin kushtet për mbrojtjen nga zjarri dhe ka tejkaluar kompetencat në disa raste. Këtyre operacioneve u shtohen edhe dy më të bujshme: ai i arrestimit të nëpunësve të Inspektoratit të Karburanteve dhe i kryekomunarit të Kolshit në Lezhë. Më shumë se 15 persona janë arrestuar apo janë vënë nën akuzë për korrupsion në më pak se një javë.
Në dy ditët e fundit, Policia e Shtetit ka korrur “sukses” edhe në luftimin e bandave, duke goditur grupe të organizuara hajdutësh apo trafikantësh të veprave të artit. Vetëm dje u shpartalluan dy grupe të tilla.
Nëse Komisioni Europian kërkon sot të verifikojë se sa i ka përmbushur Shqipëria kushtet e vendosura për heqjen e vizave, qeveria do të mund të dilte faqebardhë të paktën për dy nga kërkesat: luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në fakt, arrestimet e fundit nuk mund të ngrenë peshë në luftën antikorrupsion, pasi janë arrestuar nëpunës të vegjël për ryshfet shpesh në shuma qesharake. Por nëse rezultatet e antikorrupsionit paraqiten si statistika, Shqipëria ka bërë shumë përpara. Kjo javë ka siguruar “një buqetë” të vlefshme prangash për vizat.
#