E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: Pazari për ndarjen e gjahut të 23 qershorit do rëndojë mbi xhepat e shqiptarëve

TIRANE – Pas prezantimit të strukturës së qeverisë së re, Partia Demokratike akuzon kryeministrin e zgjedhur Edi Rama se po e nis punën duke rritur koston financiare të qeverisjes. Në një deklaratë për mediat, deputeti Gert Bogdani tha: “Rama faktoi sot se pazari për ndarjen e gjahut të 23 qershorit do të rëndojë dhimbshëm mbi xhepat e shqiptarëve”.

“Pavarësisht prej përpjekjes amatore për të fshehur fryrjen e pashembullt të shpenzimeve, fatura e kripur e këtij projekti anti institucional, është zullumi i radhës i koalicionit të mashtrimit për shqiptarët dhe vendin. Ky koalicion vendos rekordin historik si i vetmi sot në botë që po nis punën jo duke shkurtuar, por duke rritur koston financiare të qeverisjes që ditën e tij të parë”,-deklaroi Bogdani.

Sipas Bogdanit, “kryesocialisti konfirmoi sot edhe projektin e spastrimit dhe fshesës mbi administratën publike duke dëshmuar mendësinë e zakoneve dhe veseve të vjetra. Edi Rama është i vetmi politikan në Europë që e nis punën duke projektuar pushime masive të punonjësve të administratës publike dhe zëvendësimin e tyre me militantë të rekrutuar në zyrat e PS-së”.

“Partia Demokratike denoncon fshesën anti-institucionale kundër administratës publike si dhe mekanizmin e grabitjes së taksapaguesve shqiptarë nëpërmjet fryrjes shokuese të numrit të ministrive. Partia Demokratike është e vendosur të mbrojë me çdo mjet ligjor dhe politik qytetarët shqiptarë nga abuzimi me taksat e tyre dhe punonjësit e administratës publike nga fshesa anti-ligjore e paralajmëruar”,- përfundoi deklarata e deputetit Bogdani.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›