E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Bumçi merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit në Slloveni

TIRANE- Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, u nis sot në Brdo të Sllovenisë, ku do të marrë pjesë në takimin e liderëve të rajonit, si pjesë e delegacionit shqiptar, që kryesohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani.

Ky është takimi i parë i nismës së re të ndërmarrë nga Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë, ku përfshihen tetë vendet e rajonit të Evropës Juglindore: Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina si dhe institucionet e BE-së. Grupi i tetë vendeve do të përfaqësojë një nismë të re rajonale që do të inkurajojë integrimin evropian.

Në formatin e mësipërm do të zhvillohen takime mbi baza vjetore, ku përveç tetë vendeve, sipas momentit të ketë një institucion të BE-së (Këshilli Evropian, Komisioni Evropian ose Parlamenti Evropian), ose vend i BE-së, që bashkohet me këtë nismë për të dhënë kontributin e vet.

Në këtë samit të Brdos është ftuar të marrë pjesë edhe Presidenti i Francës, z. François Hollande. Gjatë këtij takimi, z. Bumçi do të zhvillojë dhe takime dypalëshe me homologë të vendeve të rajonit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›