E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati provat për gjobëvëniet e kryebashkiakut Rama

23/08/2010 Deputetja Albana Vokshi fton Edi Ramën në një debat publik

“Vetëm për projektin e zonës së liqenit, gjoba mbi 100 milionë euro”

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka deklaruar dje se mund të japë prova konkrete përmes dokumenteve, të cilat vërtetojë “gjobat marramendëse të Edi Ramës për lejet e ndërtimit këto 12 vjet”. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ligjvënësja demokrate ftoi kryesocialistin Rama të ballafaqohet me të në një debat të hapur televiziv, prej nga ku do të përcillen faktet në lidhje me gjithë debatin e hapur gjatë ditëve të fundit. Ajo u shpreh se dokumenti që ka bërë publik dy ditë më parë, përbën vetëm një prej dokumenteve të shumtë, që vërtetojnë se Rama është gjobëvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Deputetja e PD-së iu referua një dokumenti, sipas të cilit kryetari i PS-së, me cilësinë e kreut të Bashkisë së Tiranës se ka abuzuar me lejet e ndërtimit, duke marrë 20 për qind të shumës së investuar në të gjitha lejet në Tiranë. Sipas Vokshit, në dokumentin në fjalë tregohet se biznesmeni Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepuri, është sekser i Ramës. “Ky që shihni këtu është një dokument i kompanisë “Vizionin Construction”, e cila është detyruar të kalojë 20% të aksioneve për të marrë leje ndërtimit. 20% i një leje ndërtime ka kaluar në adresë të Edi Rama”, deklaroi ajo dy ditë më parë. Por, Vokshi në deklaratën e saj të djeshme u ndal edhe në momente të tjera, të cilat sipas saj faktojnë korrupsionin e kreut të Bashkisë dhe të PS-së. “Vetëm për projektin e zonës së liqenit, i ashtuquajturi projekti “TIRANA ROCK”, gjoba jote shkon mbi 100 milionë euro”. Zoti 20%, nëse je burrë e të ka mbetur qoftë edhe një fije burrërie, nxirre lepurin nga barku, dhe hajde të përballemi në secilën studio televizive që mund ta zgjedhësh ti”, - tha ajo duke iu drejtuar Ramës në distancë. Në deklaratën e saj deputetja demokrate theksoi se Rama, i është përgjigjur denoncimit që ka bërë përmes fakteve konkrete “nëpërmjet çakejve, të cilët përdorën një gjuhë, që është e denjë vetëm për ju”.

Reagimi i PS-së

Menjëherë pas deklaratës së deputetes demokrate, Partia Socialiste ka reaguar përmes deputetit Saimir Tahiri, i cili tha se gjithçka thotë Vokshi bëhet për të fshehur të vërtetën. “Akuzat ndaj zonjës Vokshi dhe Arjan Tartarit janë konkrete dhe si të tilla kërkojnë përgjigje konkrete. Shmangia e këtyre përgjigjeve me shpifje e trillime është jo vetëm e papranueshme, por mbi të gjitha një shenjë e qartë e nervozizmit që ndjen zonja Vokshi”, - tha Tahiri. Ai tha se Vokshi duhet të japë llogari se përse nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›