Bogdani bën plane për një kompani sondazhesh qipriote
Zëdhënësi i PD, Gert Bogdani, u shfaq dje i mërzitur nga zyrat e partisë. Vente-vinte në korridorin e gjatë e të pluhurosur e numëronte pllakat e korridorit, derisa erdhi Flamuri e hapi derën.
- ǒpaske kështu o mixhë?
- Lëre, lëre, jam shumë i mërzitur.
- Po ç’ke? Je i mërzitur nga sondazhi i atyre amerikanëve? Mos e vrit mendjen, se do ta rregullojë ai burri. Do bëjnë një firmë të fortë me emër si ky i “Zogby International”, por do ta regjistrojnë në Qipro. Atje s’merret vesh kush është. Do t’i vënë një emër të njohur, por do jetë filiali i Qipros. Siç kanë bërë me ARMO-n dhe me ato firmat e Fazlliçit. Është ide e madhe shumë.
- Jo, jo, s’e kam hallin te sondazhi, - tha Bogdani. - Po jam bërë hasëm me të gjithë. Nga fisi i gruas nuk më flasin më, dhe nga shtëpia ime më rrinë rëndë. “Tani që po fiton ky Rama, - thonë, - ti shkon bëhesh me doktorin.”
- Hajt mos u mërzit. Kështu e kanë këta të majtët. E kanë tmerr, kur bëhesh me këtë burrin. Po ti mos ça kokën. PD s’ka pasë kurrë zëdhënës më të mirë se ty. Ka pasë njëherë Uk Buçpapën, po ai u mërzit shpejt dhe iku. Që atëherë s’kemi gjetë më të bindur se ty. Se të gjithë shtonin ose hiqnin ndonjë fjali. Ti vëlla i thua si t’i thotë ai burri. Ka lezet.
- Po, po, por unë e di ç’heq, kur dal në rrugë. Janë ca pisa, kanë filluar më thonë Ali Komiku…
- ǒështë ky Ali Komiku, o mixhë?
- Ka qenë zëdhënësi i Sadamit, d.m.th., ministri i Shtypit. Kur amerikanët morën qendrën e Bagdadit, ai dilte në periferi dhe thoshte: “Ja, nuk kanë ardhur akoma...”
- Ja fusin kot, mixhë. E para, ai burri nuk krahasohet me Sadamin, se Sadami ka pasë mustaqe...
- E di, e di, po hajt mbaj gojën e njerëzve. Po të jetë për mustaqe, tamam-tamam si Ali Komiku është Bujar Nishani. Po atij nuk ia marrin për ters budallallëqet.
- Po bëj durim e mbaje or mixhë, s’ke ç’i bën, të zuri.
- Nuk mërzitem për këto të tjerat, por me ata të shtëpisë. Më thotë babi çdo natë: “Na hape telashe. Mirë ndonjë lek që s’bëmë, por hajt rri prapë në opozitë tani.” Dje shkova në shtëpi dhe gjeta time më duke parë foton me Edi Ramën dhe nusen time, dhe qante. “Shiko sa shkoni? - thoshte. - Si yje të tre. ǒdeshi që u ndau ai maskarai, që mos bëftë hajër ishallah! Ja, si tre zogj jeni bashkë këtu. Për të prishur ka lindur ai njeri. U ndau që i raftë pika, i raftë!” U përpoqa ta qetësoja, po nuk qetësohej. S’e dija që e kisha aq socialiste nënën. S’para fliste. Por kohët e fundit e kanë lëshuar nervat. Sa herë më sheh mua në TV, bëhet si e marrë dhe bërtet nëpër shtëpi: “Rroftë Edi Rama!”
- S’ke ç’i bën mixhë. Të gjithë kemi halle të tilla, po i mbajmë brenda për brenda. Të zuri kjo, hiqe tani. Pastaj me të parë, me të bërë. Po humbëm, ti të paktën je në minibashki. Dhe bën kalim të butë. Po ne ç’të bëjmë.
- S’di ç’të them. Ndonjëherë më duket sikur jam nxituar. Se dhe ai burri na jepte shumë zemër. Tani ka dy ditë që nuk flet. I thashë dje, të dal ta shaj këtë “Zogby International”, nuk foli. Ja përsërita prapë, prapë nuk foli. Ka një si ngërç, nuk duket mirë. Po nuk e dija që po mendoka për këtë sondazhin nga kjo kompania qipriote. Si do ta ketë emrin kjo?
- Nuk e di. Do fliste me Damirin. Damiri i njeh ato procedura. Damiri do marrë përfaqësinë e një shoqërie amerikane, do ta regjistrojë në Qipro si filial dhe pastaj ajo do shpallë sondazhe. Këtu në terren do t’i plotësojmë formularët në rregull. Do vë unë atë të forumit rinor të Laprakës t’i bëjë, se ai ia ka marrë dorën, se bënë këto të “Gani Bobit”. Pastaj të shikojnë këta se si dalin rezultatet. Mos u mërzit. Ti vetëm më bëj një sms sa i do në zonën tënde, se ta ndreq unë.
- Epo mirë që më dhe një lajm të mirë, - i tha Bogdani. - Se janë demoralizuar shumë njerëzit. Unë dola i shava gjithë mediet që nuk e dhanë “Gani Bobin” dhe s’pyeti njeri fare. Dolën këta të “Top”-it, e dhanë të gjithë pa i sharë njeri fare. Shumë skandal është kjo punë. Ishallah bëhet kjo e kompanisë qipriote!
- Do bëhet se s’bën, mixhë. Ky stili i kompanive qipriote na ka nxjerrë në selamet. Me ato i kemi bërë gjithë punët. Me ato kemi blerë toka, kemi blerë energji elektrike, kemi marrë fabrika çimentoje, po marrim parqe energjitike. Atyre iu takon dhe sondazhi. Se ato janë shumicë. Se ai sondazhi i amerikanëve mixhë, ishte i poshtër. Ai burri po torturohet, ka tre vjet që bën rrugë, aty thuhej vetëm 18 për qind janë të interesuar për rrugë. E kanë bërë qëllimisht. Ke për të parë si do dalë ai i Qipros. Prioriteti i parë do dalë rruga Durrës- Kukës. 73 për qind e shqiptarëve do kërkojnë të mbarojë rruga dhe të marrë emrin “Sali Berisha”. Pastaj prioriteti i dytë do jenë parqet energjitike. Pastaj investitori më serioz i huaj do vlerësohet “Rudnap Energy”, pastaj investitori më serioz i vendit do vlerësohet Rezart Taçi, konsulenti më serioz i qeverisë do vlerësohet Damiri. Do ta qajmë atë, mixhë. Dhe prioritetet do t’i kemi të qarta, rrugët, parqet energjitike, fabrikat e çimentos, hidrocentralet... të gjitha sipas radhës. Në fund, dhe tokat në bregdet. Për t’u dukur të paanshëm, këtë punën e demontimit të fishekëve do ta heqim nga prioritetet, se na bëri dhe qametin. Ke për të parë, mos u mërzit.
- Epo shyqyr, - tha Bogdani. - Se më ikën truri, kur më thonë Ali Komiku.