Kishat: Autoritetet shqiptare kanë dështuar për kthimin e pronave
Komunitetet kishtare në Shqipëri kanë vënë në dukje paaftësinë e autoriteteve shqiptare për të zgjidhur problemin e pronave të tyre. Gjatë një mbledhjeje të Konferencës së Kishave Evropiane, të zhvilluar në qytetin e Durrësit, ata kanë dalë me një deklaratë, ku shtrohet pikërisht ky problem. Pasi përshëndesin lirinë e fesë që Shqipëria e ka fituar që nga viti 1991, grupimi kishtar më i madh në Evropë shpreh shqetësimin për dështimin e autoriteteve në kthimin dhe kompensimin e pronave. Me anë të kësaj deklarate komunitetet kishtare në Shqipëri i kërkojnë qeverisë shqiptare shqyrtimin pa vonesë dhe kthimin e të gjitha pronave të kishës. Sipas tyre, shumë prona të tyre duhen kthyer ende. Duhet përmendur se në këto 18 vjet pronat fetare kanë qenë në qendër të abuzimeve me pronat që kanë ndodhur në Shqipëri. Me qindra hektarë tokë në të gjithë vendin janë vjedhur nga individë të ndryshëm, duke e rënduar akoma më shumë zgjidhjen e këtij problemi.