Presidenti i BB urdhëron nisjen e hetimit të projektit që shkatërroi shtëpitë në Jalë
Presidenti i Bankës Botërore (BB) ka urdhëruar nisjen e një hetimi për të zbuluar përgjegjësit e fshehjes pas projektit të zhvillimit, të sponsorizuar nga BB me vlerë 39 milionë dollarë, i cili çoi në prishjen e një fshati bregdetar shqiptar.
Robert Zoellick mori vendimin të hetojë skandalin - përpjekja e tretë e BB për të mbërritur në thellësitë e debatit shqiptar - dhjetorin e kaluar, por e bëri publik vendimin e saj vetëm më 9 shkurt, pak orë pasi u bë publik një lajm i FOX News në lidhje me ngjarjen.
FOX News zbuloi se menaxherët e BB, agjencia më e madhe dhe ndikuese në botë kundër varfërisë, kishin dhënë informacion fals, me qëllim që të merrnin aprovimin për financimin e projektit nga bordi i drejtorëve të Bankës në vitin 2005 - dhe pastaj harxhuan edhe disa vite të tjera për ta fshehur këtë fakt.
Persona brenda Bankës, raportoi FOX News gjithashtu, keqorientuan dhe bllokuan një “Panel Inspektimi” të Bankës, i cili ishte caktuar nga bordi në fund të vitit 2007 për të hetuar skandalin.
Raporti i Panelit iu dorëzua bordit të drejtorëve më 1 dhjetor 2008.
Në një deklaratë drejtuar FOX News, një zëdhënës i BB shkruante se Zoellick i tha bordit të drejtorëve, në një letër dërguar më 1 dhjetor, se ai ishte “i shqetësuar nga problemet e zbuluara në raportin e Panelit” dhe se “do të ndërmerrte “hapa të menjëhershëm ... për të mësuar se çfarë kishte ndodhur realisht dhe përse.”
Bordi i drejtorëve të Bankës është parashikuar të mblidhet në Uashington më 17 shkurt për të trajtuar këtë çështje. Burime të besueshme i thanë FOX News se Zoellick është i inatosur dhe i prekur nga ngjarja, si dhe seriozisht i bindur për të vendosur, sipas fjalëve të vetë burimit, “se kokat e kujt do të priten.”
Zoellick ka ngritur një task-forcë me zyrtarë të lartë të Bankës për të menaxhuar skandalin, sipas burimeve të brendshme të Bankës, dhe i ka dërguar bordit të drejtorëve një “përgjigje”, ku i pranon tërësisht zbulimet e ashpra të Panelit hetimor, i cili përfshin veprimtarinë e një zyrtari të qeverisë shqiptare në prishjen dhe shpronësimin e fshatarëve, si pjesë e një “projekti pastrimi”.
Ky zyrtar, siç e deklaroi më 9 shkurt FOX News, është Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryeministrit Berisha.
Në Shqipëri ka dyshime se prishja e shtëpive të fshatit ka qenë e lidhur me ndërtimin e një fshati turistik privat në të njëjtën zonë.
Berisha dhe Malltezi nuk kanë pranuar të kenë bërë ndonjë shkelje.
Sipas zëdhënësit të BB, Zoellick tha se ai ishte informuar për çështjen shqiptare disa javë para letrës së tij të 1 dhjetorit që urdhëronte hetime më të thella. Zëdhënësi nuk pranoi të jepte një kopje të plotë të letrës për FOX News.
“Në seancën e parë të kësaj çështjeje disa javë më parë, unë i kërkova Konsullit të Përgjithshëm në detyrë të ekzaminonte përse bordi nuk ishte informuar ashtu siç duhej dhe ai e ka bërë të njohur raportin për mua dhe për drejtorët ekzekutivë”, - i shkruante Zoellick bordit, sipas fragmenteve të letrës. “Bazuar në raportin e Panelit të Inspektimit, tani unë do të kërkoj zgjerimin e hetimit për të mësuar se çfarë ka ndodhur realisht dhe përse.”
“Jam veçanërisht i shqetësuar, - shton ai, - nga shqetësimi i Panelit se kjo çështje mund të ketë një seri keqinformimesh. Veprime të tilla keqinformimi ndaj panelit dhe bordit janë të papranueshme.”
Zëdhënësi i Bankës i tha gjithashtu FOX News se Zoellick i kërkoi sektorit të Antikorrupsionit në BB, Departamenti i Integritetit Institucional, që të niste një hetim tjetër për çështjen.
Dy hetimet e reja do ta çojnë në 5 numrin e hetimeve të BB për këtë çështje që kur u prishën shtëpitë në Jalë në 2007 dhe nuk dihet se çfarë ka mbetur ende pa u zbuluar - apo nëse rezultati do të bëhet publik apo jo.
Zoellick nuk pranoi t’i përgjigjej një liste me rreth 25 pyetje të FOX News, të cilat iu dërguan në një përpjekje që mund të sqaronte deklaratat e paqarta të zëdhënësit të tij. Këto pyetje varionin që nga fakti se kur Zoellick mësoi saktësisht rreth këtij skandali e deri te fakti nëse ai do të marrë në konsideratë në hetimin e ri të Këshilltarit të tij të Përgjithshëm mundësinë se nga informacioni që iu afrua bordit të Bankës ishte fshehur me qëllim informacion i rëndësishëm që të realizohej aprovimi i projektit.
FOX News e pyeti Bankën gjithashtu që të jepte më shumë detaje rreth kredisë së re 20 milionëshe për Shqipërinë - me synim që të përmirësojë qeverisjen dhe shërbimet publike - e cila pritet të shqyrtohet për aprovim nga bordi në mes të marsit. Të vetmet detaje publike të njohura deri tani janë përfshirë në një “dokument me informacion për projektin”, i formuluar me një gjuhë të paqartë, i cili ishte varrosur në faqen e internetit të Bankës muajin e kaluar.
Ai dokument përmbledh zgjidhjet e problemeve të Shqipërisë me një gjuhë të mjegullt - si “forcimi i mekanizmit të përgjegjësisë“, “reforma në fushën e menaxhimit të fondeve publike” apo “përmirësim të mjedisit të biznesit” - por asnjëherë nuk e përmend çështjen më problematike të vendit: korrupsionin.
Në fakt, Shqipëria është renditur vazhdimisht në studim pas studimi si një nga vendet më të korruptuara në botë. Në fund të vitit 2006, një sondazh i BB, asokohe e drejtuar nga Paul Wolfowitz, për ministrat shqiptarë, anëtarët e parlamentit, zyrtarët, donatorët dhe gazetarët nxirrte këto probleme: korrupsion kronik, mungesën e zbatimit të ligjit, ryshfet në prokurimet publike, mungesë të transparencës qeveritare, shumë politikanë me lidhje me biznesin dhe mungesën e një sistemi efektiv për të garantuar të drejtën e pronës.
Përmes zëdhënësit të saj, Banka nuk pranoi të jepte detaje të tjera lidhur me kredinë e re para takimit të ardhshëm të bordit muajin tjetër.