Si do të duket Kosova pas dhjetë vjetësh
Me kënaqësi gjithmonë kthehem në Zagreb, një prej qyteteve që e ndiej si timin. Kam kaluar një pjesë të madhe të jetës në këtë qytet, por lidhja është më e fortë sesa, për shembull, me Brukselin, ku tash jetoj më gjatë nga sa kam jetuar në Zagreb. As fakti se zyrtarisht në dokumente më figuron Zagrebi si qëndrim i përhershëm (në Bruksel qëndrim i përkohshëm!), nuk ka ndikuar që ta ndiej këtë lidhje. Ndoshta jeta studentore dhe mbi të gjitha përjetimi e mbijetesa e luftës kanë ndikuar që të ndjej një lidhje të fortë me Zagrebin. Sa herë që vij, më impresionon një gjë në kryeqytetin e Kroacisë: rregulli dhe pastërtia. Për këtë Zagrebi ia tejkalon qyteteve evropiane. Nuk e di a ka të bëjë me disiplinën e mbledhësve të plehrave apo më shumë me kulturën e njerëzve, më duket më shumë kjo e dyta.
Kalova këtë fundjavë në Zagreb dhe ishte mjaft dinamike. Lexoja gazetat në një kafene dhe paramendoja se ndoshta Kosova pas dhjetë vitesh do të duket sikurse sot duket Kroacia. Në Kosovë nuk do të mund të ndërtohen ndërtesa të vjetra të stilit austro-hungarez, ndoshta as bruto prodhimi shoqëror i Kosovës pas dhjetë vitesh nuk do të mund të arrijë atë që sot ka Kroacia. Por diçka më shtyn të bëj krahasime. Një javë më herët isha në Kosovë dhe Kosova më dukej si Kroacia para dhjetë vitesh. Kosova sot po përjeton vitet e para të lirisë dhe pavarësisë, po përballet ende me pasojat e luftës. Disa nga luftëtarët ndjejnë padrejtësinë që u është bërë, ndërsa disa nga ish-shokët e tyre janë pasuruar apo kanë bërë karrierë politike. Jo të gjitha pjesët e territorit janë njëlloj duke e ndier pavarësinë, ndërsa rriten ndasitë në klasa, edhe pse duket se ato nuk ekzistojnë. Paraqiten edhe njerëz të panjohur që vetes i ndërtojnë tash imazhin e heroit dhe patriotit. Defilojnë në zyrat e krerëve të institucioneve të Kosovës diplomatë të klasës së tretë dhe të gjitha ata dalin në TV dhe gazeta. Ende ka të zhdukur dhe paralajmërime për gjykime të reja për krime të luftës. Partitë politike nuk janë profilizuar ende, ndërsa integrimet evropiane janë vetëm një parullë e mirë e thënë nga goja e politikanëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Kështu më duket Kosova sot dhe pikërisht kështu ishte Kroacia para dhjetë vitesh.
Furrtari shqiptar dhe Hashim Thaçi në gazetë
Shtojca “Magazin” që del në numrin e të shtunës në gazetën “Jutarnji list” konsiderohet në Kroaci si shtojca më e mirë për nga përmbajtja. Këtë javë kjo shtojcë solli dy intervista me shqiptarë në të njëjtin numër. Ishte një intervistë e madhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai fliste për suksesin e madh që ka arritur Kosova në vitin e para të jetës së saj si shtet i pavarur. Thaçi edhe në këtë intervistë dëshmoi se është i pakrahasueshëm për nga shkathtësia që të thotë atë që tingëllon mirë për veshin e atyre, të cilëve iu drejtohet. “Fantazma e Millosheviçit jeton ende në kabinetin e Tadiçit”, - citohet në titull të intervistës Thaçi, titull të cilin do ta nënshkruanin si të vetin shumica sot edhe në Kroaci. Por disa citate të Thaçit vetëm të shtyjnë që si kosovar të thuash: “Ah sikur vërtet të ishte ashtu”. Për shembull, në pyetjen se “sa larg është Kosova nga integrimet në BE”, Thaçi përgjigjet: “As më larg e as më afër sesa të tjerët në rajon”.
Intervista tjetër me një shqiptar tjetër është ajo me Azgan Qenajn, emër i panjohur në Kosovë, por që është bërë hero në Kroaci. Ai është një furrtar i lindur në Romajë afër Prizrenit, ku thotë se si fëmijë ishte dashuruar në aromën e bukës. Në Kroaci, sidomos në lagjen “Treshnjevka” të Zagrebit, e quajnë Robin Hood. Ai çdo ditë pas skadimit të orarit të punës njerëzve u fal bukë. Dhe ka njerëz, për të cilët në Kroaci ende një copë bukë ka vlerë. Ai ka ndarë bukë falas tërë ditën e 17 shkurtit të vitit të shkuar, kur Kosova ka shpallur pavarësinë. Thotë se morali dhe tradita nuk ia lejojnë ta hedhë bukën, prandaj ua fal njerëzve. Pas shpalljes së pavarësisë thotë se merr frymë me tërë mushkëritë. Por arsyeja e intervistës është shumë bizare. Inspektorati tregtar i Zagrebit e ka gjobitur me 30.000 kuna (rreth 4.200 euro), për shkak se “ka punuar jashtë orarit të punës”. Është llogaritur si “tejkalim i orarit të punës” edhe falja e bukës, pasi ka mbaruar dita e punës. Kështu, ai ka rënë ndoshta ndesh me ata që ligjin e lexojnë në mënyrën e tyre, por ka fituar zemrat e masave në Kroaci, ku thonë se “jeta do të ishte ndryshe sikur të kishte më shumë njerëz si Qenaj, Robin Hoodi ynë!”
Hendbolli, recesioni dhe bllokada sllovene
Kroacia javën që shkoi edhe zyrtarisht hyri në recesion. Integrimi i saj në BE dhe NATO u bllokua nga fqinji i saj verior, Sllovenia. Por këto nuk ishin lajmet kryesore në televizion e as kryetituj në media. Kroacia ishte e preokupuar me hendboll dhe në delirium për kualifikimin e Kroacisë në finale të Kampionatit Botëror që të dielën përfundoi në Zagreb. Nuk ka ndodhur më parë që për hendboll të arrijë çmimi i biletës në 1.000 euro te stërshitësit. Madje, një titull gazete në Zagreb iu falënderohej lojtarëve me këto fjalë: “Ju faleminderit që po na ndihmoni t’i harrojmë krejt hallet!”
Kroacia ka bërë shumë për të ardhur aty ku është, në prag të integrimit në BE dhe NATO. Është nisur në këtë rrugë përnjëherë me Slloveninë, por lufta ka ndikuar që Sllovenia të shkojë më shpejt, ndërsa Kroacia të ngecë për shkak të pasojave të luftës. Tash, Sllovenia bllokon Kroacinë për shkak të problemit të caktimit të kufirit në det. Ndoshta Martti Ahtisaari do të ndërmjetësojë në zgjidhjen e këtij problemi. Por për kroatët më e rëndësishme sesa BE dhe NATO, se recesioni dhe problemet sociale, është që të jenë më të mirët në botë, qoftë edhe në hendboll. Kroacia mendon se për hendboll është ajo që Brazili është në futboll. S’ka problem për faktin se tërë skuadra kombëtare e Kroacisë në hendboll fiton më pak sesa, për shembull, Ivica Oliç nga skuadra kombëtare e futbollit që tash luan në Bundesligën gjermane.
Paramendoj se pas dhjetë vjetësh Kosova mund të jetë në prag të integrimit në BE dhe NATO. Nëse hyn para Kosovës, paramendoj po ashtu se fqinji verior i Kosovës do ta bllokojë këtë integrim. Madje, paramendoj që Kosova atë vit ndoshta do të luajë për titull kampioni bote në ndonjë sport.