Qeveria nxjerr në shitje 24% të aksioneve në Albtelekom, ishte gabim mbajtja
Qeveria shqiptare ka vendosur dje të shesë paketën e aksioneve shtetërore prej 24% që ajo ka në kompaninë e telefonisë fikse në vend, Albtelekom. Kryeministri, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së qeverisë se “praktika tregon se është një mendësi tejet e tejkaluar aksionerizimi i qeverisë. Ndaj, pas një procesi shumë të suksesshëm me AMC, duhet të presim një proces tjetër të suksesshëm me shitjen e aksioneve të qeverisë në Telekom”. Albtelekom është licencuar nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve për ofrimin e shërbimeve të telefonisë fikse që prej vitit 1992, ndërsa me 16 shkurt 1999, kompania u emërtua “Albtelekom” me statusin e shoqërisë anonime. Aktiviteti kryesor i kompanisë është i përqendruar në shitjen e shërbimeve të telekomunikacioneve, në trafikun telefonik, dhënien me qira të linjave dhe kapaciteteve të transmetimit, si dhe në ofrimin e interkoneksionit për të gjithë operatorët publikë të licencuar nga ERT.
Kontrata për privatizimin e Albtelekom u ratifikua nga parlamenti shqiptar, ndërsa “Çalik” dhe Turk Telekom u bënë pronare të 76% të aksioneve të kompanisë së telefonisë fikse, Albtelekom. “Çalik” ka planifikuar të kryejë një investim, i cili do ta shndërrojë Albtelekom në një kompani me teknologji moderne dhe shërbime cilësore ndaj klientëve. Për këtë qëllim konsorciumi turk pak kohë më parë ka marrë një kredi 100 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BTDB). Shuma e kredisë do të investohet në zhvillimin, shtimin dhe përmirësimin e rrjetit aktual, me synim jo vetëm rritjen e kapaciteteve, por dhe shtimin e shërbimeve.