E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guximi për të marrë peng Sali Berishën

Nga Mero Baze

Përgjegjësi kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Fatmir Mediu, u shfaq dje në foltoren e Kuvendit, në rolin e një viktime të drejtësisë shqiptare. Njeriu, i cili ka shkaktuar me prirjen e tyre natyrale për korrupsion dhe lidhje me grupe kriminale, si dhe me papërgjegjshmërinë e tij klasike një tragjedi të vërtetë njerëzore, një vit më pas provon se ka kapur peng kryeministrin dhe tenton t’i bëjë presion dhe Kuvendit të Shqipërisë. Një vit pas një tragjedie të tillë, çdo emër politikani përgjegjës, madje dhe të atyre që kishin fare pak përgjegjësi, në çdo vend të botës që të ishin, do të ishin harruar nga politika. Por Fatmir Mediu ka tjetër fat. Ai, jo vetëm që e konsideron procesin ndaj tij si padrejtësi, por guxon dhe të ngrejë zërin ndaj prokurorisë dhe atyre që kërkojnë ndëshkim për të. Ata që e njohin Fatmir Mediun, mund të mendojnë shpejt dhe shkurt se e bën, ngaqë është njeri mendjelehtë dhe politikan ordiner. Por, ata që shikojnë kush dirigjon veprimet e tij, e kuptojnë qartë se ai është duke shantazhuar publikisht kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Në prag të komunikimit të akuzës nga prokuroria, Sali Berisha, i cili ka një vit që iu është shmangur fotografive publike me të, udhëtoi me të drejt Uashingtonit. Udhëtimi i tyre privat u ndërmjetësua nga blerësit e kompanisë shtetërore të INSIG, që janë njëkohësisht njerëzit më familjarë dhe miqtë më personalë të Fatmir Mediut në SHBA. Por ky udhëtim nuk kishte ndonjë vlerë të veçantë politike, përveç shuplakës që Berisha ka marrë në takimin me zonjën Klinton për respektimin e institucioneve të drejtësisë dhe detyrimet që ai ka për të çuar deri në fund reformat që do të na anëtarësojnë në NATO. Vlera reale e udhëtimit të tyre në Uashington ishte përpjekja për t’i bërë presion drejtësisë shqiptare. Duke udhëtuar në krah të kryeministrit, Fatmir Mediu dëshmoi se e ka marrë peng Sali Berishën për shkak të historisë së djalit të tij me Gërdecin dhe po e përdor si të fortin e lagjes për t’i vënë gjoba drejtësisë. Portreti i rrënuar i Sali Berishës me Fatmir Mediun në krah në korridoret e hoteleve në Uashington, ku përpiqeshin të bënin fotografi të rastësishme me kongresmenë, është keqkatandisja reale e një kryeministri të marrë peng nga mafia që i ka kapur familjen. I detyruar të paguajë për heshtjen e Fatmir Mediut për djalin e tij, që loboi kontratën ogurzezë të Gërdecit, Sali Berisha është kthyer tani në një lodër në duart e trafikantëve që e shëtisin ku të duan dhe e detyrojnë të flasë çfarë iu duhet atyre. Është pikërisht kjo pengmarrje e kryeministrit nga ky klan mafioz që ka trimëruar dukshëm Fatmir Mediun në tribunat publike. Ai doli dje në foltoren e Kuvendit, dhe fliste sikur 26 të vdekurit e Gërdecit të kishin vdekur qëllimisht për të dëmtuar avenirin politik të Fatmir Mediut. Ky njeri harron se ata fëmijë që kanë vdekur në moshën e fëmijëve të mi dhe të Fatmir Mediut, kanë prindër si ne. Ky njeri harron se ato gra që kanë vdekur, kanë burra dhe fëmijë. Ky njeri harron se ata që kanë vdekur, kanë prindër dhe familje. Ky njeri harron se ç’ka bërë, harron sa arkivole ka futur nën dhe, dhe guxon e na ngre gishtin në Kuvend sikur t’ia kishim borxh të gjithë ato arkivole. Vetëm një mafioz mund të jetë kaq i qetë dhe gjakftohtë para arkivoleve. Vetëm një njeri që ka marrë peng kryeministrin e vendit mund të jetë kaq i sigurt në shantazhin që i bën shtetit. Vetëm një mafioz i vetëdijshëm për atë që ka bërë dhe për mënyrën se si duhet të mbrohet, mund të guxojë të marrë peng liderin e një shumice për hallin e vet. Ai që e bën këtë sot, duket se i ka bërë llogaritë që më parë, kur në këtë histori që prodhoi vdekje dhe miliona euro dëme, përfshiu me vetëdije djalin e kryeministrit, me të cilin gdhihej dhe errej gjatë pranverës së vitit 2007.

Ky njeri tashmë është i rrezikshëm, jo se ka këtë bilanc tragjik, por se ka mundur që këtë bilanc ta “risigurojë”, nëse flasim me termat e INSIG, te një shef më i madh, te kryeministri i vendit. Ai dëshmoi dje se, kur flet kundër prokurorisë, flet, se ka mbështetjen e Sali Berishës, se kur akuzon, ka mbështetjen e tij, se kur injoron të vrarët dhe familjarët e tyre, ka mbështetjen e tij. Ai dje dëshmoi se ia ka dalë mbanë të mbajë peng kryeministrin dhe shumicën në pushtet me problemet e veta kriminale. Siç u shfaq korridoreve të hoteleve në Uashington bashkë me Sali Berishën, ai do të shfaqet sërish në tribuna bashkë me të, nën sloganin e koalicionit të Gërdecit: “Kush rron, fiton”. Sali Berisha provoi se nuk është më i lirë dhe s’ka fuqi të ndahet nga ata që varrosën të gjallë 26 vetë. Pafuqia e tij nuk është vetëm nga instinkti prindëror, nuk buron vetëm nga lidhja e djalit të tij me këtë histori, por mbi të gjitha nga vendimi i tij personal për ta justifikuar krimin. Dhe pafuqia për t’u ndarë nga krimi, ndëshkohet njësoj si pjesëmarrja në krim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›