E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani, e diela ndaj Empolit, nje dite "jo"

Albania-sport - Ishte një ditë "jo" kjo e dielë për Erjon Bogdanin, pasi skuadra e tij nuk ka shkuar dot më larg se një barazim i bardhë, në fushën e vet përballë Empolit, duke marrë vetëm një pikë që gjithsesi e lë Kievon vetëm dy pikë larg zonës së ftohtë të sigurisë. Megjithëse trajneri Luixhi Del Neri e kishte përzgjedhur në formacionin e tij bazë sulmuesin shqiptar për ndeshjen e sotme, Bogdani nuk ka arritur të shkëlqejë, pasi një goditje e vetme në drejtim të portës, pesë goditje dënimi të shkaktuara dhe vetëm një e fituar, bënë që ai të mos zgjaste më shumë se 59 minuta në fushën e blertë.
Në fakt, deri në minutën e 25-të, kur shtatlarti shqiptar fitoi një goditje të lirë në gjysmëfushën kundërshtare, ai përmendet në komentin e ndeshjes vetëm për dy ndërhyrje të parregullta, duke vijuar të shkaktonte edhe 3 të tjera deri në minutën e 51-të. I vetmi rast për t'u përmendur në paraqitjen e shqiptarit, që ishte pjesë e treshes sulmuese, përkrah Obinasë dhe Semiolës, në skemën 4-3-3 që kishte zgjedhur trajneri Del Neri, ishte ai i minutës së 54-t, kur, pas një goditjeje të lirë të ekzekutuar nga Vincenco Italiani, shqiptari ka goditur me kokë, në qendër të zonës, por pasaktësisht, duke e dërguar topin jashtë kuadratit të portës kundërshtare.
Në fakt, edhe specialistët italianë e kanë vlerësuar negativisht lojën e shqiptarit, dhe një nga faqet sportive të Internetit, e quante "inekzistente" paraqitjen e sulmuesit të Kombëtares kuqezi. Ndërsa prestigjiozja tgcom.it e grupit të mirënjohur Mediaset, i vinte notën kaluese, 5, Bogdanit, por thekson se "shqiptari u mbulua rregullisht në advancë nga mbrojtësi i ngarkuar për ta neutralizuar, Lukini. Trajneri Del Neri e largon nga fusha, duke futur Kosaton, sepse e kupton që nuk është dita e sulmuesit shqiptar."

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›