Bogdani, edhe 48 orë afat

Rikthehet dashuria e Napolit për Bogdanin kur ditët e merkatos janë në përfundim e sipër. 31 gushti po afron me shpejtësi, dhe për Bogdanin, një ndër më të përfolurit në shtypin italian, ende nuk është bërë i qartë një destinacion i ri. Bogdanit nuk i pëlqen të luajë në Serie B me Kievon, pavarësisht se sulmuesi shqiptar shpesh herë ka thënë se nuk e shihte kategorinë e dytë italiane si fundin e botës. "Në Serinë B luajtën edhe Del Piero e Trezege", - argumentoi ai. Por, emrat skuadrash në kërkim të shërbimeve të tij janë të shumta: disa klube në Serinë A në Itali, spanjollët e Levantes në Primera Divizion dhe së fundi edhe Rubin Karzan që militon në Premier Ligën ruse. Gjithsesi në të gjithë këtë "udhëkryq" adresash ende nuk mund të thuash se cilën fanellë do të veshë sulmuesi shqiptar për sezonin e ri.
Drejtori i Kievos, Xhovani Sartori e sheh futbollistin e Kombëtares shqiptare jashtë planeve të teknikut Iakini. Në ikje e sipër. "Princi i Epirit", sipas gazetës italiane "L'Arena", u pëlqen shumë si klubit rus Rubin Karzan (renditet i 9-ti pas 22 javësh, kur ka dhe gjashtë javë kampionat) por edhe Rexhinës së Masimo Fikadentit (klubi që bëri të njohur Bogdanin në Itali). Por edhe Napoli, i porsa ngjitur në Serinë A është duke menduar për sulmuesin e fuqishëm shqiptar, pas debutimit zhgënjyes në "San Paolo" kundër Kaljarit. Në skenë ka ridalë edhe Lacio që i është rikthyer pistës "Bogdani" pas largimit të sulmuesit Simone Inzagi dhe nëse do të ndodhë kjo atëherë te klubi kryeqytetas italian mund të jenë të dy shqiptarët, si Igli Tare (i pranishëm dje në 18-shen e ndeshjes për Ligën e Kampioneve Dinamo Bukureshtit-Lacio) ashtu dhe Bogdani.