E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flash:Katanec shpall anti-Rusinë me një shqiptar në listë

Seleksionuesi i Maqedonisë, Srecko Katanec ka publikuar listën e futbollistëve të cilët do të jenë në kombinim për ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian EURO 2008, kundër Rusisë në Moskë dhe Estonisë në Shkup. Lista nuk ka ndonjë surprizë, kurse nga futbollistët shqiptarë sërish është ftuar vetëm mesfushori i TuS Koblenzit, Artim Pollozhani. Kësaj radhe nuk janë ftuar portieri Jane Nikollovski dhe Ilco Naumovski, kurse kryesisht në listë janë lojtarët që kanë luajtur së fundmi kundër Izraelit. Vetëm Trajanov është ftuar pas miqësores me Nigerinë.
“Për këto dy ndeshje të vështira janë ftuar futbollistë të cilët mendoj se janë më të mirët për këtë moment. Takimi i parë është me Rusinë, kombëtare e cila është e vetmja që na ka mposhtur me meritë dhe për këtë arsye mendoj se do të luajmë mirë dhe mundë t’i befasojmë në Moskë, edhe pse i konsideroj si favoritë të mëdhenj. Ndeshja me Estoninë do të jetë edhe më e vështirë, pasi të gjithë presim fitore. Deri më tani jam i kënaqur me lojën e treguar dhe mendoj se në ndeshjet e ngelura ne do ta përcaktojmë skuadrat që do të vazhdojnë garën e mëtutjeshme nga grupi ynë”, tha Katanec. Ndeshjen parë të zhvilluar në Shkup mes këtyre dy kombëtareve e ka humbur Maqedonia me rezultat 0:2. Grumbullimi i reprezentuesve është me 3 shtator në ora 13:00 në hotelin “Ineks Gorica” në Ohër.
Portierë:
1. Petar Milloshevski (Enozis Neon)
2. Jorde Georgievski (KF Vardar)
Mbrojtës:
3. Goce Sedlloski (Matersburg)
4. Igor Mitrevski (Energy Cotbus)
5. Nikollce Novevski (Mainz)
6. Aleksander Vasovski (Eintraht)
7. Goran Popov (Levidakos)
8 Vllade Llazarevski (Groclin)
Mesfushorë:
9. Aleksandër Mitrevski (Koln)
10. Vecice Shumulikovski (Bursaspor)
11. Darko Tasevski (Metallurg Z.)
12. Vanco Trajcov (Cernomorec)
13. Vllatko Grozdanovski (Omonia)
14. Artim Pollozhani (TuS Koblenz)
Sulmues:
15. Goran Pandev (Lazio)
16. Goran Maznov (Tomsk)
17. Stevica Ristiq (Chonbuk H.)
18. Aco Stojkov (Debrecin)

Sokoli edhe një vit me Milanon
- Trajneri i Milanos së Kumanovës, Bylbyl Sokoli ka vendosur që të vazhdojë kontratën e tij me klubin e deritanishëm. “Edhe për një vit kam vendosur që të vazhdojë kontratën me Milanon. Të hënën në mbrëmje jemi ulur dhe kemi biseduar me drejtuesit e klubit ku jemi pajtuar që të vazhdojmë bashkëpunimin e deritanishëm”, deklaroi Sokoli. Ai nuk ka pranuar të bëjë publike kushtet financiare me të cilat janë marrë vesh, por ka thënë se objektivi i Milanos mbetet i njëjtë. “Ne luftojmë për mesin e tabelës së klasifikimit, por nëse na jepet rasti mundë të luftojmë edhe për titull kampioni ose dalje në Evropë”, tha ai. Kontrata njëvjecare e Bylbyl Sokolit me Milanon kishte skaduar me 15 gusht. Pas ardhjes së strategut kosovar, Milano nga Liga e Dytë u fut në Ligën e Parë, ndërsa pas katër javëve klubi kumanovar është në kreun tabelës së klasifikimit pa asnjë humbje të pësuar.
Shkëndija refuzon dorëheqjen e Osmanit
Pas përfundimit të ndeshjes me Sileksin dhe humbjes që pësoi ekipi i Shkëndijës, trajneri i kësaj skuadre Qatip Osmani ka ofruar dorëheqjen e tij nga stoli kuqezi. Drejtuesit e Shkëndijës pas analizave të bëra kanë ardhur në përfundim që të mos e pranojnë dorëheqjen e tij. Kështu edhe më tutje në bankinën e Shkëndijës do të mbetet Osmani, skuadra e të cilit në katër ndeshjet e zhvilluara nuk ka shënuar asnjë fitore. Për momentin kanë grumbulluar vetëm një pikë.

Reshat Ibrahimi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›