Katër filma shqip në kinema "Milenium"
Kinema "Milenium" në Tiranë pret sot shfaqjen premierë të katër filmave shqiptarë, prodhime të shtëpisë filmike "Maku Production". Dy prej filmave janë me metrazh të shkurtër dhe dy të tjerë i përkasin filmit të animuar. Do të prezantohet nesër filmi "Shenjtorja" me regji e skenar të Eno Milkanit. Për këtë film ai është bazuar në tregimin me të njëjtin titull nga shkrimtari Teodor Keko. Marrin pjesë aktorët: Jonida Vokshi, Amos Zaharia, Klara Shehu, Zhaneta Papamihali, Agron Gashi e Mihal Ciko. Muzika mban firmën e kompozitorit Pirro Çako. Filmi rrëfen një histori të pamundur mes viteve ‘80-‘90. Një tjetër film me metrazh të shkurtër që do të shfaqet nesër është ai i titulluar "Mira", i cili vjen nën regjinë e Dhimitër Ismailaj, që në të njëjtën kohë është edhe autor i skenarit. Marrin pjesë aktorët: Rozana Radi, Neritan Liçaj, Tinka Kurti, Alert Celoaliaj, Denis Bushjokaj etj. Mira është një grua e re, e cila ndodhet në dilemën morale që i parashtron shoqëria. Në kategorinë e filmave të animuar do të shfaqen filmi "Lakmia" me regji të Rikarda Novës e skenar të Vllasova Mustës. Në këtë film trajtohen tipare të shoqërisë njerëzore, si lakmia, të cilat luftojnë pa pushim për përfitime. "Një natë" është filmi tjetër i animuar, i cili vjen me regji të Ardit Fajës. Skenari mban firmën e Migena Papajanit dhe Rovena Rrozhanit. Ky film pohon se në një marrëdhënie njerëzore, ndjenja e dashurisë bie pre e konsumizmit dhe përditshmërisë, deri sa ajo humb ngjyrën dhe vlerën.