Prokuroria ka pyetur dy herë Selmanllarin, shokun e Shkëlzen Berishës
Rrahman Selmanllari është thirrur dy herë në prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar për çështjen e Gërdecit dhe trafikun e armëve në Rinas. Selmanllari, një nga miqtë më të afërt të Shkëlzen Berishës, mësohet nga burime të prokurorisë, se është thirrur ditën e mërkurë dhe të enjte në prokurori, por nuk ka deponuar asgjë. Burime nga organi i hetimit bëjnë të ditur se Selmanllari ka dhënë përgjigje mohuese për çdo pyetje. Prokuroria është e interesuar për dëshminë e tij, pasi emri i tij del si bashkinvestitor në disa biznese me Delijorgjin. Prokuroria po ashtu po e heton atë lidhur me faktin, nëse ka qenë ai ose jo njeriu që ka zëvendësuar punën e Kosta Trebickës në Rinas në paketim dhe transport të fishekëve.
Burimet bëjnë të ditur se Selmanllari nuk ka dhënë asnjë përgjigje sqaruese në të dy ditët dhe pritet që hetimi rreth tij të zbardhet nga rrethana të tjera. “Ai nuk tregoi asgjë dhe asnjë njeri”, - thanë burime të organit të hetimit.
Selmanllari është lakuar kohët e fundit në media prej disa e-mail-eve të shqiptaro-amerikanit Geri Kokalari, i cili thotë se ka dëshmi prej Trebickës që ky ka qenë personi që ka marrë pjesë në një takim mes Pinarit, Diverolit dhe Delijorgjit. Selmanllari e ka mohuar akuzën dhe ka akuzuar gazetat se do t’i padisë në gjyq.
Selmanllari ka një miqësi mbi dhjetëvjeçare me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Ata janë miq publikë me njëri-tjetrin dhe vazhdojnë të ruajnë miqësinë e tyre. Kjo afërsi është bërë shpesh shkak që djali i kryeministrit të akuzohet për biznese të tij.