Bogdani, paraqitja e fundit vlerësohet me 6
13/06/2005 Me fitoren e arritur të shtunën në mbrëmje kundër Piaçencës, skuadra e Veronës i ka dhënë fund sezonit, duke e mbyllur kapionatin në vendin e shtatë, pa mundur të zërë një vend më lart që do t’i garantonte pjesmarrjen në play-off. Bashkë me këtë paraqitje të fundit të skuadrës verdheblu, paraqitjen e fundit ka bërë edhe sulmuesi ynë i kësaj skuadre, Erjon Bogdani. Për të madje mund të konsiderohet edhe si ndeshja e fundit me fanellën e Veronës, pasi sipas të gjitha mundësive, ai do të lërë këtë skuadër për bërë një hap më lart drejt serisë A, ku është Rexhina e cila pret shërbimin e ish-sulmuesit të saj. I kthyer nga dy ndeshjet me përfaqësuesen kuqezi, kundër Gjeorgjisë dhe Danimarkës ku arriti të realizonte edhe një gol (goli i shënuar në Danimarkë), Bogdani ka zbritur rregullisht në fushë edhe në ndeshjen e fundit të serisë B me fanellën e Veronës në fitoren që skuadra e tij arrit kundër Piaçencës. Edhe pse nuk arriti të realizonte, Bogdani ka bërë një paraqitje të mirë në ndeshjen e së shtunës, duke e mbyllur në mënyrë mjaft të mirë një sezon me të vërtetë të mrekullueshëm. Për paraqitjen e tij në ndeshjen kundër Piaçencës, Bogdani është vlerësuar me notën 6. Jo më e larta për të, por që gjithsesi ka mbetur në mesataren e një viti të tërë. Në ndeshjen e fundit, sipas “L’Arenës”, Bogdani nuk ka qenë në ditën e tij më të mirë, por kjo nuk e ka penguar atë të jetë dhe rreziku kryesor për mbrojtjen e Piaçencës. “Sigurisht që nuk është Bogdani i disa muajve më parë, por shpërthimet e tij e vënë në panik mbrojtjen e bardhekuqëve të Piaçencës. Ai është një pikë referimi e të gjithë manovrës ofensive të Veronës”,- komenton “L’Arena”. Pas plot 42 javësh, Erjon Bogdani i ka dhënë fund një sezoni me të vërtetë të shkëlqyer, duke realizuar 17 gola dhe duke tërhequr vëmendjen e klubeve të serisë A, Rexhinës në plan të parë, e cila ka bërë prapa ktheu, duke thirrur nën armë ish-bomberin e saj.