E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndreka: Kam shpresa të qëndroj

13/06/2005  Ish-mbrojtësi i Partizanit vazhdon provën e suksesshme në radhët e skuadrës ruse, Shinik Jaroslav

Ashtu siç kishte premtuar, ish-mbrojtësi i Partizanit, Henri Ndreka është larguar në drejtim të Rusisë. Madje, prej disa ditësh ai ndodhet në këtë vend, duke u provuar në njërën nga skuadrat që militojnë në Ligën e parë ruse. Bëhet fjalë për skuadrën e Shinik, e cila militon në Premier Ligën ruse. Madje, nga Rusia e largët, Ndreka ka bërë të ditur, se ndjehet mjaft mirë me skuadrën e Shinik. “Kam disa ditë që ndodhem në Rusi për t’u provuar në radhët e skuadrës së Shikik. Edhe pse jam në ditët e para, ndjehem mjaft mirë te kjo skuadër. Shinik më është dukur shumë e mirë dhe mbi të gjitha shumë serioze. Edhe për kushtet e klubit, e të hotelit ku po qëndroj, mund të them se janë shumë komode”. Jo vetëm kaq, por shtatlarti i mbrojtjes së përfaqësueses sonë Shpresa, ka nënvizuar se ka vendosur edhe raporte me të vërtetë shumë të mira me trajnerët e skuadrës ruse, madje të gjitha gjasat duken për mirë lidhur me të ardhmen e tij në kampionatin rus. “Në këto pak ditë kam marrë një mbështetje të madhe edhe nga të dy trajnerët e skuadrës – ka shtuar më tej ish-mbrojtësi i Partizanit – Mund të them, se ata më kanë marrë me sy të mirë dhe kjo më jep shumë shpresa në lidhje me qëndrimin tim te Shinik”. Gjithsesi sipas vetë mbrojtësit, asgjë nuk është vendosur përfundimisht me të ardhmen e tij. Punët duken në vijë të drejtë, por përgjigjja për një “po” ose për një “jo” do të merret gjatë javës së ardhshme. Nga deklaratat e vetë mbrojtësit, por duke u nisur edhe nga gjendja në renditje e skuadrës së Shinik (ajo ka grumbulluar vetëm 11 pikë në dhjetë javë kampionati), afrimi i mbrojtësit të skuadrës sonë Shpresa me rusët e Shinik duket edhe më i afërt. “Tashmë duhet vetëm që të bëj paraqitje të mira, në mënyrë që të tregoj vlerat e mia si lojtar. Besoj se në fundjavën e ardhshme do të marr edhe përgjigjen përfundimtare të drejtuesve të stafit teknik, në lidhje me qëndrimin tim këtu”,- ka përfunduar ish-mbrojtësi i të kuqve, Henri Ndreka. Duhet theksuar, se nisja e një aventure në kampionatin rus nuk është një gjë e re për mbrojtësin lezhjan. Një aventurë, e ngjashme me këtë, bëri bujë në ditët e para të dhejtorit 2004, kohë kur marrëdhëniet e tij me presidentin e Partizanit, Albert Xhani kishin marrë një krisje të madhe. Gjithsesi, në atë periudhë ai u largua në drejtim të kampionatit rus dhe pas këmbënguljes së trajnerit të asaj kohe të të kuqve, Sulejman Mema ka riveshur fanelën e Partizanit. E njëjta situatë u përsërit edhe në prag të mbylljes së kampionatit, por këtë herë Ndreka udhëtoi me të vërtetë drejt Rusisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›